KATALANASIT FITOJNË ME REZULTATIN 3-0 NDAJ BAYERN MYNIH TË PEP GURADIOLËS . Barcelona ka arritur të fitojë 3-0 ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në “Camp Nou”. Katalanasit tashmë janë më pranë finales së Berlinit duke zhvilluar një superndeshje në të cilën gjermanët e Pep Guardiolës rezistuan deri në minutën e 77-të ndërsa më pas nisi festivali I Leo Messit.

Argjentinasi nuk tregoi mëshirë as për ish-trajnerin me të cilin në 4 vjet fitoi 14 trofe. I privuar edhe nga mungesa të rëndësishme në formacion për shkak të dëmtimeve, 44-vjeçari Pep Guardiola dështoi në prezantimin e tij të parë në “Camp Nou” si trajner i një skuadre tjetër. Barcelona e nisi ndeshjen në sulm madje brenda 20 minutave të para kishte 3 mundësi për të shënuar, por Neuer me reflekset e tij tregoi se është një nga portierët më të mirë në botë për momentin. Rasti i vetëm i rrezikshëm i bavarezëve në 90 minuta ishte ai i pjesës së parë, por Leëandoëski nuk finalizoi me gol një aksion personal të Muller. Bajerni e nisi më i qetë pjesën e dytë, por në asnjë moment nuk arriti të provojë portierin katalanas Ter Stegen. Përballja mes këtyre dy gjigandëve u zgjidh në minutën e 77-të, kur katalanasit përfituan nga një gabim i Bernat dhe me një shpejtësi çorientuese kaluan në avantazh me një super gol të Messi-t. Vetëm 3 minuta më pas argjentinasi bëri një tjetër mrekulli duke mposhtur Neuer me një gjuajte spektakolare me të djathtën. Ky ishte goli i 77-të për Messi-n në Champions dhe i 10 këtë sezon, mënyra më e mirë për të festuar ndeshjen e tij të 100-të në Europë. Në fund ishte Neymar, i cili pas një kundërsulmi të shpejtë vulosi fitoren e thellë të Barçës, të cilën vetëm 90 minutat e kthimit e mbajnë ende larg finales së Champions League