Shkodra do të mirëpresë ndeshjet e turit eleminator të Champions League. Natyrisht që nuk do të jetë Vllaznia sepse u rrëzuan në Kategorinë e Parë por një tjetër skuadër shqiptare.

Kukësi ka arritur marrëveshje me Federatën Shqiptare të Futbollit që t’i zhvillojë ndeshjet e Ligës së Kampioneve në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kuksianët me maltezët e Valeta do të luajnë në 11 korrik në Shkodër në ora 19:00. Ky takim është konfirmuar në mënyrë zyrtare nga vetë klubi verior në faqen e tyre.

“Më 11 korrik, në orën 19:00, në vendin e shqiponjave, në qytetin 2400-vjeçar të Shkodrës, në stadiumin ‘Loro Boriçi’, do të zhvillohet ndeshja e parë e Champions League për vitin 2018, FK Kukësi i Shqipërisë me FC Vallet-ën e Maltës.

Kjo përballje pritet të jetë spektakolare dhe tifozeria pritet të jetë e zjarrtë për skuadrën e vetme, që përfaqëson Shqipërinë në Champions Ligën e këtij viti. Ju mirëpresim për të mbështetur skuadrën tonë drejt fitores”.

Biletat për të parë këtë ndeshje që do të mbahet në shtëpinë e shkodranëve do të dalin në shitje brenda pak ditësh.

Ekipi verilindor po punon në mënyrë intensive duke u përgatitur në Slloveni për këtë takim mjaft të rëndësishëm ku sigurisht qëllimi i tyre është arritja e rezultateve pozitive.

Duhet theksuar fakti se Kukësi është e vetmja skuadër shqiptare që merr pjesë në Champions League ku e bën edhe më të veçantë pjesëmarrjen e tyre në këtë kompeticion.

Në këtë mënyrë shkodranët edhe pse nuk kanë ekipin e tyre të zemrës janë të privilegjuar për të shijuar këto përballje.

Nga sa mësohet Kukësi do të luaj në Shkodër edhe ndeshjet e Superligës të kampionatit të ardhshëm. Për tifozët kuqeblutë mbetet të paktën një ngushëllim.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE