Me një “fytyrë” të rinovuar nga ajo e javës së kaluar, Kukësi ka arritur të kualifikohen në raundin e dytë kualifikues të Champions League.

Verilindorët morën një barazim 1-1 kundër Vallettas, por që i shërbeu për të kaluar më tej, pasi përballja e parë e luajtur në “Loro Boriçi” përfundoi me shifrat e pastra 0-0.

Me pjesën e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura, fraksioni i dytë nisi furishëm për vendasit. Tentativat e shumta drejt portës së Frashërit u konkretizuan vetëm në minutën e 67-të, me Matteo Piciollo që pasi mori një top nga Zerafa, kaloi në avantazh vendasit.

Reagimi i verilindorëve erdhi vetëm 3 minuta përpara fundit. I shërbyer nga Rrumbullaku, mesfushori gjeorgjian, Irakli Dzaria bëri gjithçka mirë për të tundur rrjetën dhe për t’i dhënë një biletë Kukësit për në raundin e dytë kualifikues të Champions League.

Në raundin e ardhshëm, Kukësi do të ndeshet me fituesin e çiftit Olimpija Ljubljana-Qarabak, me azerbajxhanasit që janë më të favorizuar për shkak të fitores në takimin e parë me shifrat 1-0.