Kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras vizitoi mëngjesin e kësaj së hëne qytetin e Matit në lindje të Athinës, zonë që një javë më parë u godit nga zjarret vdekjeprurëse.

Gjatë kësaj vizite të paparalajmëruar, kryeministri grek foli me inxhinierët dhe forcat e shpëtimit, të cilët tashmë po punojnë për të kthyer stabilitet në zonë.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, Cipras shprehu “hidhërimin e tij të papërshkrueshëm” dhe “respektin e madh” për ata që luftuan me flakët, dhe tani janë të përfshirë në punën masive për të rregulluar zonat e prekura.

Mbrëmjen e të dielës autoritetet bënë të ditur se numri i vdekurve nga flakët e një jave më parë ka shkuar në 91, ndërsa 25 të tjerë vijojnë të jenë të zhdukur.

Gjatë një takimi të kabinetit pak ditë më parë kryeministri Grek Cipras pranoi përgjegjësinë politike për tragjedinë e rëndë që goditi popullin e tij.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE