Çmimi i pasurive imobiliare rezidenciale ka regjistruar rënien më të madhe që prej 11 vitesh në Britaninë e Madhe për shkak të COVID-19, sipas një studimi të publikuar sot.

Kjo rënie prej 1,7% në një muaj, më e madhja që prej muajit shkurt 2009, mes krizës financiare, ndodhi ndërkohë që çmimet e banesave kishin arritur një rekord në muajin prill, sipas një studimi të bankës ”Nationwide”.

Bëhet fjalë për një rënie mesatare prej 4 000 stërlinash për pronë për një çmim mesatar prej 218 902 stërlinash.

“Në fillim të vitit 2020, para tronditjes nga pandemia në Britaninë e Madhe, tregu i strehimit regjistroi një përparim të qëndrueshëm, por aktiviteti u ngadalësua në mënyrë të konsiderueshme për shkak të masave të vendosura për të kontrolluar përhapjen e virusit”, komenton Robert Gardner, ekonomist kryesor i Nationwide.

Të dhënat e shërbimit britanik të taksave (HMRC) shfaqin një rënie prej 53% në një vit të transaksioneve imobiliare në prill.