17 VJEÇARJA MALALA JUSAFZAI DHE AVOKATIT INDIAN, KALIASH SATIARTI, FITOJNË ÇMIMIN. Pikërisht pak ditë pasi është rindezur konflikti mes Pakistanit dhe Indisë për krahinën e Kashmirit, Komiteti Norvegjez i Nobelit i ka akorduar Çmimin për Paqen për vitin 2014, adoleshentes dhe aktivistes pakistaneze të të drejtave të femrave, Malala Jusafzai dhe avokatit Indian të të drejtave të fëmijëve, Kaliash Satiarti.

Presidenti i Komitetit, Torbjërn Jagland, tha se të dy e marrin bashkarisht çmimin për përpjekjet kundër shtypjes së të rinjve dhe fëmijëve dhe të drejtën e fëmijëve për t’u arsimuar. “Është një nder për të gjithë fëmijët që po vuajnë ende nga skllavëria, puna e detyruar dhe trafikimi”, tha Sariarti pasi mësoi për fitimin e çmimit.

Ndërsa kryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif, përgëzoi 17-vjeçaren dhe e quajti krenarinë e kombit: “Arritja e saj nuk mund të krahasohet apo të barazohet me asgjë tjetër. Vajzat dhe djemtë nga e gjitha bota duhet të marrin shembull nga mundimi dhe përkushtimi i saj”, thuhej në deklaratën e lëshuar prej tij.

Çmimi, i cili shoqërohet me një çek prej 1.1 milionë dollarësh, do t’u jepet të dy aktivistëve në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez dhe nismëtarit të Çmimeve, Alfred Nobel.

 

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/2L_PQ71cuUw?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]