Gjatë këtij viti do të jepen dy Çmime Nobel për Letërsi për shkak se vitin e kaluar nuk u dha një çmim i tillë. Kjo gjë kishte ndodhur për shkak të një skandali në Akademinë e Suedisë.

Çmimi i vitit të kaluar ishte tërhequr për herë të parë që nga viti 1949 për shkak se bashkëshorti i një anëtareje të jurisë ishte burgosur për sulm seksual.

Pas një takimi që u mbajt të hënën, Fondacioni i Nobelit njoftoi se ka ndërmarrë masa për krijim të kushteve që të kthehet besimi në këtë institucion. Për këtë arsye, fituesit e vitit 2018 dhe vitit 2019 do të shpallen në vjeshtë të këtij viti.

Ndryshimi më i madh në këtë ceremoni do të jetë caktimi i pesë anëtarëve të pavarur dhe të jashtëm. Këta anëtarë do ta ndihmojnë Akademinë Suedeze për t’i zgjedhur fituesit e Çmimit Nobel për vitet e ardhshme, shkruan “The Guardian”.

Deri tash nuk është ditur mënyra e saktë e përzgjedhjes së fituesve. Ajo që dihet është se rreth 200 kandidatë shqyrtohen gjatë muajit shkurt, një listë më e shkurtër hartohet në muajin maj, ndërsa pesë kandidatët e fundit përcaktohen gjatë verës.

Dorëheqjet e vitit të kaluar e kishin lënë Akademinë Suedeze me më pak se 12 anëtarë, të cilët janë të nevojshëm për ta përzgjedhur dhe shpallur fituesin e këtij çmimi.

Fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2017 ishte shkrimtarin anglez Kazuo Ishiguro.

Ndërsa, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka propozuar kandidaturën e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, Akademisë Mbretërore të Suedisë, që ta nominojë për çmimin “Nobel” në letërsi.