Shkodra vijon të mbetet ndër vatrat më të nxehta të COVID-19, ku prej kohësh ka një rritje të ndjeshme të numrit të personave të prekur nga ky infeksion. Ministria e Shëndetësisë një ditë më parë konfirmoi 14 raste të reja pozitive, 11 në bashkinë Shkodër dhe 3 të tjera në Malësinë e Madhe.

Aktualisht, të infektuar aktivë janë 302 persona, ku 13 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në spital ndërsa 289 të tjerë janë të izoluar në banesa. Deri më tani, sipas raportimeve të shpeshta të Drejtorisë së Policisë Shkodër nuk ka patur persona të cilët kanë thyer rregullat e karantinës, si një nga format për të ndaluar përhapjen e virusit në komunitet.

Fatmirësisht, nga ana tjetër ka patur një rritje të numrit të pacientëve të shëruar nga koronavirusi. Konkretisht edhe tetë raste të tjera kanë mposhtur me sukses luftën me COVID-19, duke e rritur numrin e të rikuperuarve në 441 persona, më shumë se gjysma e të gjithë personave të prekur në total nga virusi. Pavarësisht situatës të krijuar në Shkodër, duket se ajo po mbahet nën kontroll nga institucionet përgjegjëse.

Por nga ana tjetër, problem mbetet respektimi i udhëzimeve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit COVID-19 siç janë vendosja e maskës apo edhe ruajtja e distancës fizike në ambjentet e mbyllura.