Në Itali të dhënat vazhdojnë të jenë ngushëlluese. Ende nuk bëhet fjalë për kthesë të fortë por për numra në rend zbritës, pas 5 ditësh me të dhëna në rrafshnaltë.

Numri i të shtruarve në spital në rajonin e Lombardisë i atyre të testuar pozitiv me koronavirus “pothuajse ka ndaluar”, është rritur numri i të shëruarve dhe po zbret ngadalë numri i vdekjeve edhe nëse “e vërteta dramatike është se numri i vërtetë i atyre që largohen nga kjo jetë është sigurisht më i madh, pasi statistikat i referohen vetem atyre njerëzve të ndjerë që e kishin bërë testin e tamponit.

Edhe personat e rinj të testuar pozitiv tani janë pa ose me fare pak simptoma dhe ndodhen në kushtet e shtëpisë por sipas epidemiologëve lehtësojnë ende përhapjen e infeksionit së pari brenda familjes dhe më pas jashtë saj.

E gjithë kjo ndërsa edhe rajoni i Toscanës po ndjek shembullin e Lombardisë ku autoritetet kanë shpallur duke filluar nga sot detyrimin për mbajtjen e maskave apo shalleve për të gjithë ata që dalin nga shtëpia.

Sipas Institutit të Lartë të Shëndetësisë zbritja ka filluar dhe qeveria bashkë me ekipin e shkencëtarëve do të duhet të fillojnë të mendojnë për fazën 2 nëse në ditët në vijim tendenca vazhdon të konfirmohet.

Por për kryeministrin Conte është ende herët të thuhet se kur bllokimi do të përfundojë dhe bashkë me komitetin shkencor po ndiqet me vëmendje.

Në një intervistë për NBC News në Amerikë kryeministri Conte tha se “pas Kinës, Italia ishte vendi i parë që u përball me emergjencën shëndetësore. Përgjigja e qeverisë mund të mos ketë qenë perfekte, por bazuar te njohuritë që kishim për këtë koronavirus kemi bërë më të mirën. Vlefshmëria e masave tona është njohur nga OBSH dhe rezultatet tregojnë se jemi në rrugën e duhur”.

Aktualisht në Itali janë shënuar gjithsej 15 887 viktima, 128 948 të infektuar dhe 21 815 të shëruar