“Katastrofale”, “e tmerrshme”, “e papërballueshme”.

Këto janë vetëm disa nga fjalët e krerëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për pasojat e mundshme të një mbyllje të dytë (Lockdown), si pasojë e shtimit të infektimeve me Covid.

Për t’u përballur më mirë me pandeminë, në pranverë e gjithë Evropa ishte mbyllur. Situata gjatë muajve të verës ishte më e relaksuar dhe jeta është normalizuar pothuajse gjithandej. Por prej javësh po shtohet sërish numri i infektimeve në të gjitha vendet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pohon se në Evropë çdo ditë kemi nga 40.000 – 50.000 raste të reja infektimesh. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e testimeve në të gjitha vendet. “Shifrat në shtator duhet të shërbejnë si sinjal alarmi për të gjithë ne”, tha drejtori i OBSH për Evropë, Hans Kluge. Numri i infektimeve ndërkohë ka kaluar shifrat edhe nga piku i infektimeve në fazën e parë në pranverë të këtij viti.

Shkencëtarët rekomandojnë Lockdown dyjavor

Studiuesit e njohur britanikë nga “Scientific Advisory Group for Emergencies” kanë rekomanduar që masat e bllokimit të jenë dyjavore duke filluar nga muaji tetor.

“Shkollat duhet të mbyllen një javë, e nëse shtohet edhe një javë tjetër, kjo do të kishte vetëm pasoja të kufizuara në shkollim”, thotë një studiues për “Finanical Times”.

Por një Lockdown tjetër askush nuk e do në Evropë dhe autoritetet rekomandojnë vetdisiplinë të qytetarëve.

“Kombet e Europës gjenden para një kthese, zgjedhja është e jona”, tha ministri i Shëndetësisë Hancock.