Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç i ka shkruar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban ki Moonit lidhur me qëllimin dhe përpjekjet e Kosovës për t’u barë anëtare e UNESCO-s.

Në letrën që RTS thotë se e ka parë  shkruhet se “Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim në raport me statusin e Krahinës edhe pse po ballafaqohet me kërkesat dhe me përpjekjet e Prishtinës që të përfshihet në punën e organizatave ndërkombëtare jashtë kontekstit të marrëveshjeve për prezantimin dhe bashkëpunimin rajonal”. “Për Serbinë kjo është e papranueshme”, mësohet të ketë shkruar Daçiç duke përmendur përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO. “Kosova si territor, ashtu siç e paraqet Rezoluta në fuqi 1244 e KS të KB-së (1999), është nën administrim të Kombeve të Bashkuara, në këtë kontekst nuk mund të konsiderohet si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, prandaj edhe nuk mund të kualifikohet as për pranim në UNESCO”, ka thënë Daçiç. Ai ka shtuar se në këtë kuptim, çdo qasje tjetër në shqyrtimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është injorim, përkatësisht shkelje e të drejtave të OKB-së për ruajtje të paqes e të sigurisë botërore.

Artikulli paraprakJUVENTUS SHET, POR EDHE THËRRET MARIO MANDZUKIÇ
Artikulli tjetërUJËSJELLËSI SHIROKË, SHLLAKU: NUK E MARRIM NË DORËZIM