Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të Drejtat e Njeriut në botë, e në pjesën për Shqipërinë trajtohen një numër çështjesh, por më kryesorja ajo e mosndëshkimit, që nënvizohet si problem.

“Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent.

Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi, shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale.

Në përgjigje të kësaj, autoritetet kanë ndërmarrë një vetting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve e prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar”, thotë Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas “Zërit të Amerikës”, dokumenti thekson se korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit. “Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem”, thotë DASH.

Raporti thekson se media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi pikëpamjesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median, duke përfshirë kërcënimet, dhe dhunën ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan mediet e pavarura të shtypit. Gazetarët besohet se praktikuan vetëcensurimin”, thekson DASH.

Shtimi i portaleve ka ngritur shqetësime rreth përhapjes së lajmeve të rreme në përfitim të interesave të veçanta financiare ose politike.