Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka publikuar raportin e pritur për klimën e investimeve për Shqipërinë për vitin 2018, që edhe këtë vit është tepër i ashpër.

Në të mbizotërojnë shqetësimet për korrupsionin, mungesën e transparencës në tendera, teksa Shqipëria konsiderohet si një vend i vështirë për të bërë biznes dhe ku favorizohen kompanitë e lidhura me politikën.

Me shqetësim raportohen dhe projektet e partneritetit publik privat, të cilat vlerësohet se kanë kufizuar konkurrencën, ndërsa nuk ka një analizë kosto-përfitime të tyre.

Tjetërsimi i pronësisë është një tjetër problem që kanë raportuar investitorët e huaj.Konkretisht raporti thotë se “Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri.

Në vitin 2016, qeveria shqiptare kaloi ndryshime gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit.

Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguara

, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”.

Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplotë me komunitetin e biznesit.

Investitorët e huaj të mëdhenj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur politikisht dhe shprehin shqetësimin për pajtueshmërinë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri.

Raporti vazhdon duke shtuar se “Të drejtat e pronës mbeten një sfidë tjetër në Shqipëri, pasi titulli i qartë është i vështirë për t’u marrë.