Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka përcjell urimet më të përzemërta në 90- vjetorin e lindjes së Kardinal Ernest Simoni Troshani.

Kreu i shtetit shqiptar shkruan se Troshani është simboli i rezistencës dhe i përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave njerëzore, por edhe mbajtës i palëkundur i idealeve kombëtare.

“Me rastin e 90-vjetorit të lindjes, i shpreh urimet më të përzemërta Kardinal Ernest Simoni Troshani, simbolit të rezistencës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave njerëzore dhe idealeve kombëtare.

Jetë të gjatë Kardinali ynë, me plot shëndet e mbarësi!E falënderojmë Zotin, që je mes nesh, si dëshmitar i gjallë i kalvarit të vuajtjeve të klerit shqiptar nën diktaturën totalitare.

Ti për ne je si bariu, që me fjalët dhe veprat, vijon ende të na inkurajosh dhe frymëzosh për të ecur gjithmonë drejt udhës së vlerave shpirtërore, kishtare, njerëzore e kombëtare, për të cilat flijuan jetën shumë klerikë e shqiptarë të ndershëm.

Zoti të bekoftë Ty dhe veprën tëndë të përjetshme, për gjithçka i ke dhënë kombit dhe Kishës!”, thuhet në mesazhin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.