Në ndryshim nga ndeshjet e tjera, trajneri i Kombëtares sonë Gianni De Biasi, nuk foli menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ndaj Luksemburgut të cilën kombëtarja e humbi 2-1, por foli pasi akomodimit të skuadrës në hotel.

Italiani u shfaq mjaft i mërzitur për këtë humbje dhe theksoi se ekipi nuk ka më impenjimin e para dhe gjatë Europianit. “Është një humbje që peshon në mënyrë të pabesueshme, kundër një skuadre shumë më të dobët se skuadra jonë, por që kishte një dëshirë shumë të madhe. Kemi patur mundësi të mira dhe kemi shpërdoruar raste fatale për të shënuar gol. Kaluam në avantazh dhe nuk ditëm të menaxhojmë mirë ndeshjen. Angazhimi i lojtarëve ka ndryshuar shumë në krahasim me periudhën para dhe gjatë Europianit”, tha De Biasi.

Trajneri i kuqezinjve theksoi se e ka totalisht nën kontroll ekipin, por vuri theksin te gjendja fizike e futbollistëve dhe impenjimi i tyre në fushë. “Skuadra është nën kontroll, por duhet të impenjohemi shumë më tepër. Nuk besoj se këta futbollistë kanë nevojë për motivim, sepse janë të rritur dhe e kuptojnë rëndësinë e të luajturit në të tilla nivele.

Gjithsesi mund të them se në këtë moment, edhe gjendja fizike e futbollistëve nuk është maksimale”, tha trajneri. De Biasi komentoi edhe ndryshimin e modulit pas kampionatit Europian dhe ndikimin e tij në ecurinë e ekipit.”Moduli nuk është problem, ai vendoset në varësi të lojtarëve që janë të gatshëm.

Ndeshjen e bën impenjimi i futbollistëve dhe gjendja fizike, të cilat janë thelbësore për të interpretuar çdo lloj moduli. Edhe sot, ne i patëm të gjitha avantazhet taktike, por nuk ditëm të menaxhojmë takimin, pasi shënuam golin”, mbylli De Biasi. Në fund De Biasi veçoi mbrojtësin Hysaj, si futbollisti që i ka pëlqyer më shumë në fushën e lojës, duke treguar një nivel të lartë fizik, ndonëse ka luajtur jashtëzakonisht shumë minuta në këtë sezon.

Artikulli paraprakAKSIDENT NË SHKUP, LËNDOHEN 8 PJESTARË TË NJËSISË SPECIALE
Artikulli tjetërSURPRIZA E APPLE, IPHONE 8 PO VJEN