Prej dy ditësh vijojnë reshjet e dëborës në zonat malore të vendit, por jo vetëm, pasi sot është zbardhur edhe Saranda. Situata në zona të caktuara të vendit paraqitet problematike nga reshjet e dëborës që kanë rënë.

Disa zona rurale të thella në Kukës, Bulqizë dhe në Dibër janë të izoluara nga dëbora.

Në Dibër janë të bllokuara nga dëbora nëntë fshatra në njësinë Lurë, gjithashtu edhe disa në Kalanë e Dodës, Zall Dardhë, Grykë Nokë, ndërsa në Bulqizë është e bllokuar Terrova.

Trashësia e dëborës në këto zona e ka bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë që rruga Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, rruga Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme.

Në qarkun e Korçës akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, por në zonat turistike malore dëbora ka arritur nga 15-40 cm dhe lëvizja mund të bëhet vetëm me zinxhirë. Ndërkohë që edhe në qytet ka probleme me ngricat në rrugë.

Artikulli paraprakMJERIMI I TË VARFËRVE SHQIPTARË DHE LUKSI I TË PASURVE, JA PËR ÇFARË I SHPENZOJNË PARATË
Artikulli tjetërPOGRADEC, DALLGËT NXJERRIN PAS 5 DITËSH NË BREG TRUPIN E PESHKATARIT QË U MBYT