Edhe pse sezoni veror pothuaj ka mbërritur, ende disa rrugë janë të bllokuara nga bora. Një prej tyre është rruga për në zonën turistike të Thethit, që është e pakalueshme.
Johan Leone është nga Izraeli dhe vjen për herë të parë në Theth.

“Është hera e parë që vij. Ma sugjeruan disa miq si një vend shumë të bukur, por është për të ardhur keq që ende këtu rruga është e bllokuar nga bora”, thotë ai.Edhe për operatorët turistikë, bllokimi i rrugës është tepër shqetësues.

“Duhej të vinim me makinë këtu me vizitorët spanjollë, por e lamë makinën pasi rruga ishte e bllokuar”, thotë një udhërrëfyes.

Tonin Rranca e Marash Logu, banorë të Thethit detyrohen ta lënë makinën në Qafë-Thorë e të vazhdojnë rrugën prej 16 km në këmbë për të shkuar në shtëpi.

Për banorët e Thethit rruga e bllokuar do të thotë humbje të ardhurash, pasi turistë të shumtë që vijnë detyrohen të kthehen mbrapsht, ndaj banorët i bëjnë thirrje shtetit që të marrë masa për hapjen e rrugës.

Në një kohë, kur flitet për investime e vëmendje ndaj zonave turistike, ende kemi rrugë të bllokuara nga bora dhe turistë që i kthejmë mbrapsht se nuk kemi rrugë.