Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar përmes rrjetit social “Facebook” për gjendjen e rrjetit rrugor pas rënies së dëborës dhe kushtet e qarkullimit të automjeteve.

ARRSH bën me dije se kontraktorët e mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje dhe se janë ende duke punuar për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës në rajonin verior të Shkodrës e konkretisht në akset rrugore Pukë-Fushë Arrëz , Kuben-Vasie,

Burrel-Peshkopi dhe Skuraj-Burrel. Qarkullimi në akset e përmendura realizohet pa problem, ashtu sikurse edhe në aksin Shkodër-Hani i Hotit-Tamarë.

ARRSH nënvizon se lëvizja e mjeteve duhet të kryhet me zinxhirë në pjesën fundore të aksit Ura e Cerenecit-Steblevë, në akset Qafë Bualli – Krastë, Kukës-Ura e Zapodit dhe Kukës-Bushtricë.

Ndërkohë, rekomandohet që edhe qarkullimi në aksin Librazhd-Steblevë në segmentin Lunik-Stebleve të kryhet me zinxhirë.

ARRSH informon se është punuar për shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e rrugës nga dëbora edhe në pjesët fundore të akseve të Dajtit, Tiranë.

Në këto akse kalohet pa zinxhir, ashtu sikurse edhe në akset Elbasan-Gjinar, Librazhd-Përrenjas-Qafë Thanë, Qafë-Thanë-Pogradec-Korçë-Bilisht-Kapshticë,Korçë-Voskopojë e Tepelenë-Dorez-Peshkopi.

Ndërsa sa i takon rajonit jugor, në Gjirokastër nuk ka pasur reshje dëbore por temperaturat vazhdojnë të jenë shumë të ulëta. Në Boboshticë-Dardhë, Qafë Qarri-Ersekë

dhe Liqenas-Doganë Goricë qarkullohet me zinxhirë dhe në këtë mënyrë qarkullohet edhe në pjesën fundore të segmentit Erind-Cajup, si dhe në segmentin Sevaster-Kalivac.

ARRSH rekomandon në fund të njoftimit që përdoruesit e rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit.

Artikulli paraprakDY TËRMETE LËKUNDIN JUGUN E VENDIT, DËMTOHEN 5 BANESA NË VLORË
Artikulli tjetërSHËNOHET VIKTIMA E PARË NGA I FTOHTI NË SHQIPËRI