Deklarata përfundimtare e OSBE: Kishte shit-blerje të votës

Në ndryshim me deklaratat e Ambasadës amerikane dhe zyrtarëve të BE-së, Deklarata e Përfundimeve Paraprake të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE-ODHIR në Shqipëri janë shumë më kritike për procesin zgjedhor të 25 qershorit. Raporti i Misionit nxjerr në pah probleme në administrimin e zgjedhjeve, si dhe probleme në zbatimin e ligjit. Disa prej problemeve kryesore sipas misionit janë: “politizimi i vazhdueshëm i organeve dhe institucioneve të lidhura me zgjedhjet”, “akuzat për blerje votash” dhe “presioni ndaj zgjedhësve”. Misioni ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MNVZ) thekson: Lidhur me Kodin Zgjedhor dhe KQZ: Zgjedhjet u zhvilluan në kontekstin e një hendeku të gjatë dhe të thellë politike, midis PS-së partisë qeverisëse dhe PD-së në opozitë, si edhe besimit të ulët publik në procesin zgjedhor. Kodi Zgjedhor siguron një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, megjithëse shumë rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias nuk janë plotësuar, duke përfshirë nevojën për depolitizimin e aspekteve kyçe të administratës zgjedhore. Por, mënyra e zbatimit të ligjit tregoi prioritetin e interesave politike mbi respektimin e sundimit të ligjit. Pas marrëveshjes politike, KQZ-ja dhe administrata e saj u përballën me një sërë problemesh ligjore, institucionale, financiare dhe administrative. KQZ-ja nuk mori masa për të sqaruar mospërputhjet që lidhen me legjislacionin e sapondryshuar dhe disa nga vendimet e saj nuk ishin të qëndrueshme apo ligjërisht të shëndosha. Fushata paraqiti një shumëllojshmëri të opsioneve politike. Liritë themelore të tubimit dhe shprehjes janë respektuar. Gratë ishin aktive, por të nënpërfaqësuara në fushatë. Partitë më të mëdha politike nuk respektuan gjithmonë kuotat gjinore në listat e tyre të kandidatëve dhe kandidatet gra morën pak vëmendje nga mediat. Lidhur me Median: Mediat i ofruan elektoratit një mbulim të gjerë të fushatës, duke u ofruar zgjedhësve një gamë të gjerë opinionesh politike. Megjithatë, mediat ofruan një qasje të kufizuar analitike. Garuesve u është ofruar mundësia për të marrë pjesë në debate, por asnjë debat nuk u zhvillua mes liderëve të partive kryesore. Nga monitorimi i medias, rezultoi se të gjitha kanalet televizive të monitoruara u fokusuan kryesisht në aktivitetet e tri partive më të mëdha. Lidhur me procesin e votimit dhe numërimit: Disa bashkëbisedues të MNVZ-së ngritën shqetësime specifike rreth përpjekjeve për blerjen e votave në zonat me popullsi të lartë Rome dhe Egjiptiane. Dita e zgjedhjeve ka vijuar kryesisht në mënyrë të rregullt, por janë vërejtur parregullsi procedurale kyçe dhe mosveprime. Kjo përfshin procedurat e paqëndrueshme për verifikimet e markimit me bojë, rastet e votimit në emër të personave të tjerë dhe në grup, si dhe ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar të partive. Procesi i numërimit u vonua në shumë zona. Procedurat e numërimit nuk janë ndjekur gjithmonë dhe transparenca nuk u garantua gjithmonë. Misioni njofton se vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet pjesërisht nga zhvillimi i fazave të mbetura të procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin, nxjerrjen dhe shpalljen e rezultateve, si dhe trajtimin e ankesave ose apelimeve të mundshme

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN 376 KG KANABIS SATIVA NË TUNEL
Artikulli tjetërLIROHET EDHE NJË TJETËR ANËTAR I ‘BANDËS SË DURRËSIT’