Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pasi Presidenti Meta firmosi dekretin për emërimin e Sandër Lleshajt në postin e Ministrit të Brendshëm.

Shefi i qeverisë shkruan se dekretimi i ministrit të ri tregon nëse ka vullnet të mirë, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje.

Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka Vullnet të mire. Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur

Kjo ishte hera e dytë që Rama e dërgoi emrin e Sandër Lleshajt në Presidencë për dekretim.

Në datë 27 tetor, Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm, ndërsa Rama dërgoi në Presidencë emrin e Sandër Lleshajt, por Meta e refuzoi me arsyetimin se ‘Nuk kishte krijuar bindjen’.

Pas refuzimit, Rama e emëroi Lleshajn në postin e zv/ministrit të Brendshëm dhe e komandoi në këtë dikaster, ndërsa më pas e ridërgoi dekretin në Presidencë.

Pas ripropozimit të Ramës, presidenti Meta rinisi konsultimet me institucionet, ndërsa në një letër drejtuar kryeministrit, ministres së Mbrojtjes dhe kryetarit të Kuvendit, rendiste 14 pyetje për Sandër Lleshajn, duke këmbëngulur te statusi dhe karriera prej ushtaraku.

Pasi Meta mori përgjigjet e kërkuara nga të gjitha institucionet për dosjen e Lleshajt, sot vendosi dekretimin për ta liruar nga grada e Gjeneralit, ndërsa më pas firmosi edhe dekretimin në postin e ministrit.

Tashmë emri i Lleshajt do të kalojë në Kuvend për tú votuar dekreti, ndërsa më pas do të betohet në Presidencë për të marrë zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

Artikulli paraprakPËRPLASEN DY MOTORË, PLAGOSEN DY DREJTUESIT
Artikulli tjetërILIR META: JA PSE E DEKRETOVA SOT LLESHIN, DHE JO JAVËN E SHKUAR