Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se është publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 23, datë 26 shkurt 2019, udhëzimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Ky Udhëzim përcakton me hollësi se si do të zbatohen në praktikë ndryshimet e bëra në ligj me Paketën Fiskale 2019 lidhur me normat tatimore të taksimit të pagave dhe të ardhurave të tjera personale të qytetarëve, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi dividentin etj.

Sipas Udhëzimit, norma tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi sipas nivelit të pagës bruto zbatohet sipas kategorive të mëposhtme: 0% për pagën mujore bruto deri 30.000 lekë;

13% për pagën mujore bruto 30.001 – 150.000 lekë dhe 23% për pagën mujore bruto mbi 150.000 lekë. Ndryshimi në këtë mes ka të bëjë me faktin se më parë norma 23% fillonte nga pagat 130.000 lekëshe, ndërkohë që tani nga 130.000 deri në 150.000 do të taksohen me normën 13%.

Gjithnjë, mbetet në fuqi fakti se për 30.000 lekëshin e parë taksimi është zero. Kështu, një pagë me 120.000 lekë në muaj do të taksohet me 13 për qind vetëm për 90.000 lekë, pasi 30.000 lekët e tjera taksohen me normën zero.

Ndërsa për pagat mbi 150.000 lekë, llogaritja bëhet edhe më e ndërlikuar. Shembull: paga është 180.000 lekë. Me normën 23% do taksohet vetëm pjesa mbi 150.000, pra 30.000 lekë. 30.000 lekë do të taksohen me zero% dhe 90.000 të tjera me 13%.

Sipas rregullave të reja, i nënshtrohen Tatimit në Burim edhe të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident. Për këto të ardhura, rezidenti që përfiton shërbimin, do të mbajë Tatimin në Burim nga pagesat që do të bëjë për jorezidentin.

Po kështu, i nënshtrohen këtij Tatimi edhe të ardhurat e përfituara nga shumat bruto të pagesave për shërbimet e konsulencës. Të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë,

organet e qeverisjes qendrore e vendore, Organizatat Jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim për këto pagesa.

Kurse Tatimit mbi Fitimin tani i nënshtrohet edhe çdo person jorezident, i cili nuk është i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat.

Për përmbushjen e këtij detyrimi, personat jorezidentë do të plotësojnë deklaratën e veçantë të të ardhurave të tatueshme, e cila duhet dorëzuar brenda datës 31 mars të vitit pasues dhe paguajnë tatimin në kohën e dorëzimit.

Një rregull i ri është detyrimi që, për efekt të llogaritjes së rezultatit të vitit fiskal do të konsiderohen shpenzime të panjohura, shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore.

Sa i përket Tatimit mbi Dividentin, ky do të aplikohet në shkallën tatimore 8%. Për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, kjo shkallë zbatohet me kushtin që: tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;

tatimi për dividentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019. Nëse nuk zbatohen kushtet e mësipërme, tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividentin, normë që ka qenë në fuqi për dividentin deri më 31 dhjetor 2018.

Së fundi, lidhur me borxhin e keq (provizionet), ndryshimi ka të bëjë me faktin që, në rast se pasuria e luajtshme ose e paluajtshme që siguron kredinë, ekzekutohet përpara afateve të përcaktuara në ligj për fshirjen e borxhit të keq, provizionet e mëparshme bankare, të njohura si shpenzime të zbritshme, do të vazhdojnë të njihen si të tilla.

Taksat e reja sipas Paketës Fiskale që janë tani në fuqi
Norma tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi
0% për pagën mujore bruto deri 30.000 lekë
13% për pagën mujore bruto 30.001 – 150.000 lekë
23% për pagën mujore bruto mbi 150.000 lekë

Tatimi në Burim
I nënshtrohen edhe të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident

I nënshtrohen Tatimi edhe të ardhurat e përfituara nga shumat bruto të pagesave për shërbimet e konsulencës

Tatimi mbi Fitimin
I nënshtrohet edhe çdo person jorezident, i cili nuk është i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat

Nuk do të quhen shpenzime të zbritshme ato për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore

Dividenti
Tatimi mbi Dividentin ulet nga 15%, në 8%