Shpërthimit i fuqishëm për hapjen e tuneleve të ujit për hidrocentralin e Dragobisë, që po ndërtohet në rrjedhën e lumit Valbonë, ka lënë pasojë të mëdha.

Eksplozivi i përdorur ka shembur krejt skarpatën ku kalon lumi, por dëmet janë shkaktuar edhe në shtëpitë e banorëve të fshatit Dragobi, ndërsa lëkundjet janë ndjerë deri në Bajram Curr. Ibrahim Demiraj thotë se shtëpia e tij ka pësuar dëme nga shpërthimi, ndërkohë që sipas tij, ndërtimi i hidrocentraleve mbi Valbonë do ketë pasoja të rënda për krejt komunitetin.

“Aktualisht vendi po shkatërrohet, vendi po prishet. Valbona po shkatërrohet. Ju lutem shumë të mos e prishni këtë zonë të bukur, pasi nuk është vetëm e banorëve të Dragobisë është e mbarë ndërkombëtarëve”, shprehet Ibrahim Demiraj, banor i zonës.

Banorët e prekur nga shpërthimi janë në pritje të vlerësimit të dëmeve dhe gjetjes një zgjidhjeje për rehabilitimin e shtëpive të dëmtuara. Ndërtimi i hidrocentraleve mbi Valbonë kundërshtohet me forcë nga banorët e Dragobisë, të cilat kanë protestuar disa herë.

“Hidrocentralet janë të dëmshme, ndërsa këta thonë se nuk kanë probleme. Më shumë fitime mund t’i sjellin vendit vetëm 200 bujtina, se sa ndërtimi i HEC-eve”, thotë Dardan Metaliaj banor i Dragobisë

Kjo është diga kryesore që do devijojë rrjedhën e Valbonës, uji do të futet në tunele dhe shtratin e lumit do të thahet për disa kilometra. Lejet janë në dhënë nga qeveria “Berisha” dhe të konfirmuara nga ajo pasuese Rama.