Një tub i dëmtuar në anë të rrugës kryesore qendër – plazh në Njësisë Administrative Velipojë ka bërë që Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër të ndërhyjë për riparimin e tij.

Si pasojë e këtij dëmtimi, humbjet në rrjet kanë qenë të konsiderueshme dhe padyshim nuk furnizonte në mënyrë të rregullt abonentët e zonës turistike të Velipojës. Probleme të tilla në fillim të sezonit turistik janë një shqetësim i madh për një vijë bregdetare si Velipoja.

Kjo e fundit, prej pak javësh ka hapur sezonin turistik, për të pritur mijëra pushues vendas dhe të huaj.

Përgjatë sezonit veror Velipoja është një ndër pikat strategjike të Bashkisë Shkodër, ndërsa është e nevojshme që të gjitha hallkat e shërbimeve të funksionojnë për të patur rritje të numrit të pushuesve.

Në jo pak raste në vitet e fundit kjo zonë turistike ka vuajtur edhe mungesën e theksuar të energjisë elektrike.

Mungesa e kësaj të fundit, jo vetëm që dëmton biznesin, por jep edhe imazhin negativ në sytë e pushuesve. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Kosova, por nuk mungojnë edhe nga vende të tjera, ndërsa aksi Shkodër – Velipojë, pritet të ndikoj pozitivisht.