Tre shqiptarë në Britani të Madhe janë dënuar nga një gjykatë angleze, pasi u kapën me një sasi kanabisi më 21 shkurt.

Sul Metalia 27 vjeç, Ardit Zela dhe Asti Cani të dy 19 vjeç, pranuan se posedonin lëndën narkotike pasi kishin rënë dakord të merrnin 100 paund secili për të transportuar kanabisin.

Megjithatë, ata nuk identifikuan personin nga i cili kishin marrë urdhër dhe që do t’i paguante, pasi ishin të frikësuar.

Avokatët thanë se Asti Cani kishte marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Britani të Madhe, ndërsa Ardit Zela është ende në pritje të përgjigjes për aplikimin e tij. Kurse Sul Metalia është në një marrëdhënie me një qytetare të Britanisë së Madhe.

Tre shqiptarët u kapën në Wolverhampton dhe gjatë ndjekjes nga policia kishin hedhur në tokë disa pako kanabisi me peshë 3.5 kg, vlera e të cilave shkonte në 35 mijë paund. Tre shqiptarët, të cilët nuk kanë vepër të mëparshme penale, u dënuan me 4 muaj burg secili dhe më pas do të qëndrojnë në arrest shtëpie.