Gjykata e Apelit në Shkodër ka dënuar me 35 vite burg Denis Arrilën, autorin e vrasjes të Indrit Halitit.

Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë në Shkodër. Ngjarja ndodhi me 5 nëntor të vitit 2014 në hyrje të Dobraçit në qytetin e Shkodrës. Ka qenë një sherr momental mes dy të rinjve që më pas ka përfunduar me vrasjen tragjike të 26 vjeçarit Indrit Haliti. Një vit pas vrasjes në nëntor të vitit të kaluar, gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër deklaroi fajtor të pandehurin Denis Arrila për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim” kryer për hakmarrje si dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm por edhe deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtje pa leje të armëve luftarake duke e dënuar me 9 vite burgim. Gjykata e shkallës së parë në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale pranoi gjykimin e shkurtuar duke ulur 1/3 e dënimit dhe duke e dënuar Arrilën përfundimisht me 35 vite burgim. Edhe në apel u zhvillua gjykimi i çështjes penale në ngarkim të shtetasit Denis Arrila i akuzuar për veprën penale të “vrasjes me paramendim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Kështu apeli la në fuqi vendimin numër 88 të shkallës së parë përsa i përket cilësimit ligjor të veprës penale dhe fajësisë për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” e kryer për hakmarrje. Apeli ndryshoi cilësimin ligjor të veprës penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municoneve” duke e ulur nga 9 në 5 vite dënimin por ky ndryshim nuk ndikon në dënimin përfundimtar të autorit të vrasjes të Indrit Halitit. Edhe apeli vendosi burgim të përjetshëm për Deniës Arrilën por pranoi gjykimin e shkurtuar duke ulur 1/3 e dënimit dhe duke e dënuar përfundimisht 28-vjeçarin me 35 vite burgim. Vendimi është marrë nga gjykata e apelit në Shkodër me 7 mars për Denis Arrilën. Autori i vrasjes së 5 nëntorit të 2014-ës u arrestua në Tiranë në zonë e Brrylit 5 ditë pas ngjarjes për të dalë më pas përpara drejtësisë. Arrila dhe viktima Indrit Haliti njiheshin më përpara dhe pas një grindje për motive banale 28-vjeçari ka qëlluar me 13 plumba në drejtimit të Halitit duke e lënë të vdekur në vend, ngjarje për të cilën u dënua me 35 vite burg.

Artikulli paraprakNGJARJA NË “GJUHADOL” POLICIA JEP VERSIONIN ZYRTAR
Artikulli tjetër“KLITHMA TË MBYTURA” FESTA-PROTESTË E ORGANIZATËS GRUAJA TEK GRUAJA