Një rrjet tutorësh shqiptarë të prostitutave është gjykuar të enjten dhe të premten në Bordo, për shkak se kishin ekspozuar disa dhjetëra vajza në trotuarin rrugës “Avenue des Etats-Unis” në Tuluz. Ata u dënuan në kohëzgjatje prej 30 muaj e deri në 5 vite burg, shkruajnë mediat franceze.

Tatuazh me emër të tutorit nëpër pjesët e trupit, djegie të cigareve … tutorët shqiptarë i kanë metoda e tyre për më të pafuqishmet, për të dërguar gjatë natës disa dhjetëra vajza, nëpër trotuaret e Tuluzës.

Në më shumë se një kilometër të “Avenue des Etats-Unis” dhe “Aucamville”, këta persona ndihmuan gratë e reja për prostitucion, që u zhvillua në mes të viteve 2016 dhe 2017, në veri të këtij qyteti. Një “taksi” sillte “të bukurat e natës” nga ish Cegelec, në një kënd të arenës, për klientët e tyre .

Pas një hetimi nga ana e Shërbimit policor rajonal Toulouse (SRPJ) dhe autoriteteve tjera përkatëse të Bordos, në fund të vitit të kaluar ishin arrestuar shtatë burra dhe gra, të moshës në mes 22-vjeçare dhe 38-vjeçare, të akuzuar për “trafikim të qenieve njerëzore”, “pastrim të parave” dhe “shoqata kriminale”.

Të enjten dhe të premten, ata u paraqitën para Gjykatës Penale në Bordo. Në qendër të debatit, tre vëllezër, një shqiptar, 38-vjeçar, me nofkën “Goni”, i dyshuar se ka qenë në krye të grupit dhe i mbrojtur nga avokati i Tuluzës, Apollinaire Legros-Gimbert.

“Ne po flasim për 18 vajza, por ka pasur një, dy ose maksimum tri”, ka thënë mbrojtësi dhe, “ne nuk duhet të shikojmë në këtë dosje me sytë tanë francezë. Jemi në një mjedis të romëve nga Shqipëria. Vajzat nuk ishin të detyruara në prostitucion. Ata e dinin pse kanë ardhur në Francë”.

Në kërkesat e tij, prokurori i Bordeaux nuk i kurseu të pandehurit, tre prej të cilëve u shfaqën nga paraburgimi. Ai ka kërkuar dënime që variojnë nga dy deri në gjashtë vite burg, me dënimet më të rënda për “Goni” dhe “Kely”, transmeton Albinfo.ch. Tre vite burg ai kërkoi për një grua 22-vjeçare të mbrojtur nga Morgan Dupoux.

Lutjet e avokatëve kanë bërë të mundur reduktimin e këtyre dënimeve. “Goni” u dënua me 5 vite burg dhe një ndalim të përhershëm në territorin francez; “Keli” me dënim prej 4 vitesh dhe i njëjti ndalim. Të bashkëpandehurit e tyre gjithashtu u dënuan me dënime më të vogla, duke filluar nga 30 muaj burg e deri në 4 vite.