Partia Demokratike ka denoncuar sot projektin “Unaza e Madhe” përmes disa dokumentave të paraqitura.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku dhe Këshilltari i PD për Çështjet Ligjore Gazmend Bardhi kanë publikuar nga selia e PD-së dokumenta ku sipas tyre vërtetohet ndërtimi i ardhshëm i një projekti rezidencial luksoz nga trafikanti i drogës Edmond Bego, me firmën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Tabaku u shpreh se Rama dhe Veliaj nëpërmjet paracaktimit të 3 fituesve të tenderit dhe nëpërmjet falsifikimit ndërkombëtar të dokumentave të njërit fitues, po përfitojnë 40 milionë.Më tej ajo tha se aferës korruptive të tyre i është shtuar edhe ndërtimi i projektit rezidencial luksoz i trafikantit të drogës Edmond Bego, të cilin e cilëson edhe si mik të deputetit socialist Taulant Balla.

Prej më shumë se një muaji, Partia Demokratike ka njohur shqiptarët me fakte të pakundërshtueshme se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Janë 40 milionë euro që çifti më i korruptuar i politikanëve sot në Europë, Rama dhe Veliaj, po përfitojnë në 2.2 kilometra nëpërmjet paracaktimit të 3 fituesve të tenderit dhe nëpërmjet fallsifikimit ndërkombëtar të dokumentave të njërit prej fituesve, DH Albania.

Por duke qenë se projekti i vetëm i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është vjedhja dhe grabitja e qytetarëve, ata nuk ndalen me 40 milionë euro.

Partia Demokratike publikon sot fakte tronditëse sesi Rama dhe Veliaj kanë bashkëpunuar për një projekt tjetër korruptiv me trafikantin ndërkombëtar të drogës Edmond Bego, i njohur si miku i Taulant Ballës.

Edmond Bego ka parashikuar të ndërtojë një kompleks rezidencial luksoz tek zona e Unazës së Madhe. Për llogari të këtij projekti të trafikantit të drogës, Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Kurse Këshilltari i PD për Çështjet Ligjore, Gazmend Bardhi deklaroi se dokumentat e Hipotekës provojnë se sipërfaqja e ish-Serave i ka kaluar për ndërtim kompanisë Alsion-Albania, që rezulton 100% në pronësi të Edmond Begos.

Sipas Bardhit, projekti do të ketë një vlerë fillestare investimi prej 60 milionë eurosh. Ai deklaroi gjithashtu se ky ndërtim do të ndikojë kësisoj edhe në ndryshimin e rrjedhës të Lumit Lana.

Duke e konsideruar një skandal të vërtetë, Bardhi shtoi më tej se kjo është një provë e qartë sesi ndërtimi po përdoret masivisht në Tiranë për pastrimin e parave.

Me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e rrjedhës së Lanës dhe me firmën e Arben Ahmetajt për privatizimin e ish Serave, mikut trafikant droge të Taulant Ballës, Edmond Bego, iu hap rruga që të ndërtojë në një sipërfaqe prej rreth 30 mijë metra katror.

Dokumentet e Hipotekës provojnë se kjo sipërfaqe toke i ka kaluar për ndërtim kompanisë ALSION-ALBANIA, e cila është në pronësi 100 për qind e Mond Begës. ALSION-ALBANIA do të ndërtojë tek ish Serat një projekt me vlerë fillestare investimi 60 milionë euro.

Të dhënat e projektit të siguruar nga Partia Demokratike tregojnë se vendndodhja e tij është përgjatë Unazës së Madhe, buzë lumit Lanë, sipas ndryshimit me firmën Rama Veliaj në vitin 2017.

Projekti luksoz i Mond Begës është krijuar nga studio italiane MISALAB, ku si klient paraqitet kompania tjetër e Mond Begës, INERTE EXPRES.

Kompleksi rezidencial, ku do të investohen 60 milionë euro, është paraqitur prej Edmond Begos në Bashkinë e Tiranës, ku kanë nisur procedurat e pajisjes së tij me leje ndërtimi.

Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ndryshuar Planin Urbanistik për ta vënë në funksion të realizimit të projektit të Edmond Begës. Ndryshimi i projektit të Unazës së Madhe dhe sistemimit të shtratit të Lumit Lana për llogari të Edmond Begës është kriminal.

Nga ndryshimi i projektit preken rreth 200 familje, ku pjesa dërrmuese e tyre janë në proces legalizimi. Kjo do të thotë që Edi Rama do të nxjerrë në qiell të hapur mijëra banorë për t’i shërbyer pastrimit të parave të pista që vijnë nga krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës.

Firma e edi Ramës dhe Erion Veliajt për ndryshimin e Planit Urbanistik dhe të shtratit të lumit Lanë për të mos prekur projektin 60 milionësh të Edmond Begos në kurriz të 200 familjeve shqiptare është treguesi më i qartë se alternative e vetme e Edi Ramës është bashkëqeverisja e tij me krimin e organizuar.

Denoncimi i sotëm i “aferës korruptive” u lajmërua ditën e djeshme nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, i cili u prononcua për mediat teksa gjendej në protestën e 45 të “Unazës së Re”.

Një grup banorësh vijojnë të kundërshtojnë për prishjen e banesave të tyre, ndonëse janë të palegalizuara. Kjo pjesë kërkon dëmshpërblim 100% dhe së fundmi ka kërkuar edhe arrestimin e zyrtarëve të përfshirë në projekt.

Ndërsa një pjesë tjetër e ka pranuar propozimin e Bashkisë së Tiranës për t’u strehuar në banesa sociale të Shkozës, si dhe atë të bonusit të qirasë për tre vite.

PUBLICITET