Pas shumë diskutimesh më në fund ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugës Qafë Thore-Theth. E ndodhur mes disa debateve nëse do të niste apo jo, tashmë punimet sapo kanë nisur. Njoftimin e bën të ditur deputetja e PS për Shkodrën, ish zëvendëskryeministrja Senida Mesi. Në një postim në faqen e saj në facebook Mesi shkruan se:

“Pas 30 vjetësh premtime e zhgënjime ka nisur puna për t’i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të turizmit malor në Qarkun e Shkodrës, me rikonstruksionin e rrugës Qafë Thore- Theth. Me rrugën vjen dhe zhvillimi ekonomik i zonës, ku banorët Thethit përmes bujtinave, guidave turistike dhe gatimeve të zonës e kanë kthyer zonën në aktraksion turistik.

Punimet mbarojnë në Korrik 2020 dhe afati për përfundimin është 10 muaj. Rruga e re nis në Qafë Thore e përfundon në qendrën e Thethit. Për shkak të punimeve për rikonstruksionin e rrugës gjatë periudhës 1 tetor deri në 30 nëntor 2019 qarkullimi i mjeteve do të kufizohet në kilometrin e dytë, për shkak të vështirësisë së terrenit. Qarkullimi do të bllokohet nga ora 08:00 – 12:00 dhe nga ora 14:00 – 18:00.

Shpresojmë në mirëkuptimin e të gjithëve dhe bashkëpunimin e banorëve për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”.

Afati për 10 muaj për përfundimin e rrugës siç bën të ditur deputetja Mesi mund të rezultojë i vështirë duke qenë se për pak do të fillojnë reshjet e borës dhe trashësia në Qafë Thore deri në Theth shkon mbi 1 metër çka praktikisht e bën të pamundur vijimin e punimeve.

Megjithatë duhet pritur se si është menduar që të zgjidhet kjo pjesë. Punimet për rrugën e Thethit duhej që të kishin nisur kohë më parë por janë bllokuar për shkak të problemeve me lejet përkatëse me të cilat duhej të pajisej firma që po zbaton projektin nga ana e pushtetit vendor. Nisjen e punimeve të rrugës Qafë Thore-Theth pak kohë më parë e bëri të ditur edhe kryeministri Edi Rama.

Banorët dhe pronarët e bujtinave në Theth kanë shumë vite që kërkojnë rikonstruksionin e rrugës por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në fshatin turistik të Thethit dhe në pjesën tjetër të alpeve ka një numër tejet të konsiderueshëm turistësh të cilët deri më tani janë detyruar të udhëtojnë mes asaj rruge tejet të amortizuar dhe të rrezikshme gjithashtu.