Dita e dytë e Botërorit 2018 do mbyllet në orën 20.00 me superfidën Iberike Portugali-Spanjë. Cristiano Ronaldo do përballet me shumë nga shokët e skuadrës së tij Real Madrid dhe një mori yjesh që ka Spanja në përbërje.

Portugezët edhe pse vijnë si Kampionët e Europës në fuqi të paktën në letër nuk duken aq të fortë sa 2 vite më parë dhe sidomos para Spanjës.

Gjithsesi spanjollët tashmë me një trajner të ri, pas shkarkimit para dy ditëve të Lopetegui kanë edhe ata pikëpyetjet e tyre.

Fernado Hierro konfirmon atë që tha në konferencën e prezantimit si trajneri i ri i Spanjës. Ndaj Portugalisë La Roja do të ketë shumë pak ndryshime për të mos thënë aspak. Në konferencën për shtyp përpara derbit iberik, numri 1 i stolit të Spanjës, vlerësoi Portugalinë megjithatë shfaqi të gjithë besimin që ka te skuadra e tij.

“Kemi shumë respekt për skuadrën që është kampione e Europës në fuqi. Ata kanë në përbërje një nga lojtarët më të mirë në botë dhe një trajner me shumë eksperiencë.

Megjithatë unë kam besim te futbollistët që drejtoj dhe mendoj se jemi në një moment të mirë. E kemi shumë të qartë atë çfarë duam. A do të jetë kjo një finale?

Kemi 3 finale sfidën ndaj Portugalisë dhe ndeshjet ndaj Marokut dhe Iranit. Do të bëjmë pak ndryshime. Kemi 2 javë përgatitje dhe që punojmë me një koncept loje. Është e pamundur të ndryshosh, pasi po luajmë mirë prej shumë kohësh”.

Nga ana tjetër trajneri i portugezëve Fernando Santos pritet të luajë me të njëjtën formulë që pati sukses në Euro 2016, një skuadër solide në detyrat mbrojtëse dhe shfrytëzim maksimal i supertalentit të Cristiano Ronaldos.

Artikulli paraprakSOT FITËR BAJRAMI/ RAMA URON BESIMTARËT ME PAMJET E XHAMISË SË NAMAZGJASË
Artikulli tjetërARGJENTINË/ TË BURGOSURIT NË GREVE URIE: DUAM TË SHOHIM MESIN