Gjykata e Tiranës caktoi masat e sigurimit për anëtarët e grupit kriminal që trafikonte klandestinë me dokumente false nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së dhe me destinacion final Britaninë.

Togat e zeza lanë në burg pa afat të dyshuarin si organizator i grupit Ismail Bylykbashi dhe Artenis Cula, ndërsa masa detyrim paraqitje u dha për Fatmir Loshën e Klodian Agollin.
Prokuroria kërkoi në gjykatë masën arrest me burg për të pandehurit, mbështetur nga provat e administruara nga policia në momentin e arrestimit, ndërsa avokatët e të rinjve kërkuan masë më të lehtë me argumentin se akuza e trafikut të klandestinëve nuk qëndron.

Duke qenë se të pandehurve iu gjetën dhe sekuestruan pasaporta dhe karta italiane të falsifikuara, avokatët kërkuan që të rinjtë të merren të pandehur vetëm për veprën penale të falsifikimit ndërsa sipas tyre akuza e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit nuk provohet.

Zbulimi i grupit është bërë pas ndalimit të 19-vjeçarit Artenis Cula, të cilit gjatë kontrollit i janë gjetur në çantë tri karta italiane të falsifikuara. Pas ndalimit të tij policia ka verifikuar edhe pasagjerët dhe ka gjetur tre të arrestuarit e tjerë, mes të cilëve edhe i dyshuari si kreu i grupit, shtetasi Ismail Bylykbashi.

Dokumentet false, telefonatat dhe mesazhet në aplikacionin whatss app, ishin prova të forta për policinë dhe prokurorinë që çuan në goditjen e grupit. Ndalimi katër personave u bë të shtunën ndërsa policia tha se gjatë aksionit u sekuestruan 4 karta identiteti dhe 5 karta shëndeti italiane të dyshuara si të falsifikuara,

4 aparate celulare, 3 pasaporta shqiptare, 1 pasaportë dhe një leje drejtimi italiane, 4 Boarding Pass me destinacion Tiranë – Lubjanë, 4 Boarding Pass me destinacion Lubjanë – Paris.