Në një kohë kur të gjithë po presim mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për vendin fqinjë duket se nuk ka lajme të mira. Për Shqipërinë, akoma nuk është përcaktuar një datë, çdo gjë varet nga realizimi i kushteve dhe vullneti i vendeve anëtare.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, gjatë një konference për median pas kthimit të tij nga vizita zyrtare në Bullgari, deklaroi se një konferencë e tillë nuk do të mbahej për vendin Fqinjë pasi Bullgaria nuk ka rënë dakord për një gjë të tillë.

“Mos mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor është mossukses për të gjithë, edhe për ne edhe për Bullgarinë edhe për kryesimin gjerman, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit në Procesin e Berlinit,” – u shpreh ministri Osmani.

Osmani tha se megjithatë ekziston mundësi për tejkalimin e mosmarrëveshjeve në lidhje me identitetin dhe historinë.

“Duhet të pranojnë se tani e tutje do të duhet të kërkojmë konsensus me 27 vendet anëtare. Në të gjitha 130 hapat mund të ndodhë një vend anëtar të mos japë konfirmim. Lidhur me Bullgarinë, mendoj se ekziston hapësirë dhe mirëkuptim nga të dyja palët për rëndësinë e momentin ekzistues dhe me punën e komisioneve dhe politikës të gjejmë mënyrë për progres,” – u shpreh Osmani.

Paralelisht komisionet e historianëve nga dy shtetet janë takuar pas një viti shkëputje për shkak të mosmarrëveshjeve. Në bazë të marrëveshjes për fqinjësi të mirë, komisionet e dy vendeve do të shqyrtojnë literaturën shkollore për të eliminuar elementet të papranueshme nga palët dhe faktet e shtrembëruara historike.

Artikulli paraprakLAJÇAK NË BEOGRAD: PËR ASOCIACIONIN ËSHTË NËNSHKRUAR, DUHET TË REALIZOHET
Artikulli tjetërPOSTRIBË, “NUK E DI SE REZERVUARI DO I KALOJË PRIVATIT”