Flet Ilir Trimi, Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Ilir Trimi, tha se bizneset që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri janë të shqetësuara dhe të frustruara nga kriza politike. “Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare”. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik, është i lartë…

A janë stresuar kompanitë e Dhomës Amerikane të Tregtisë që ushtrojnë aktivitet në vendin tonë nga thellimi i krizës në vend?

Pyetja vjen pas një deklarate të Dhomës Amerikane, DIHA dhe ICC Albania e cila vendosi theksin pikërisht te shqetësimi dhe frustimi i bizneseve në vend, për shkak të situatës së rënduar politike. Pra, përgjigjja është po. Bizneset jetojnë nën presionin dhe pasigurinë që klima politike reflekton në ekonominë shqiptare. Bizneset janë në raporte të vazhdueshme pune me homologë në rajon dhe jashtë vendit, të cilët kufizohen për të punuar me një vend ku zhvillohen kriza politike.

Për fatin e keq, situata politike, nuk është çështje emergjente e javës së fundit. Ky tension politik vazhdon prej kohësh dhe nuk po përmirësohet. Nuk është e rastit që në Indeksin e Biznesit që Dhoma e publikoi në prill 2019, një nga indikatorët më të përkeqësuar ishte “Klima e brendshme politike”. Mund të them se ky indikator kishte pësuar një përkeqësim me -3.02% në raport me një vit më parë, çfarë reflektoi shqetësimin e anëtarëve të Dhomës Amerikane për klimën ku po punojnë. Me këtë përgjigje ata adresuan qartë problemin që vjen nga konflikti politik dhe që shkakton pasiguri tek ata por dhe te komuniteti i biznesit.

Nga takimet tona me organizata homologe, ne kuptuam se dhe anëtarët e tyre ndajnë të njëjtin opinion dhe kjo na çoi në një deklaratë të përbashkët drejtuar së gjithë politikës shqiptare, opozitës, por dhe qeverisë. Përmes kësaj deklarate, ne u bëmë thirrje të gjithë forcave politike se kanë detyrimin ligjor dhe moral të punojnë dhe të gjejmë një zgjidhje për të mos e lënë Shqipërinë të humbasë shanset e veta, disa prej të cilave vijnë pikërisht nga bizneset që orientojnë zhvillime ekonomike dhe ata që pritet të vijnë në vend.

Nëse kriza zgjat, a ndikon kjo në vendimet e investitorëve për të mos u zgjeruar më tej në Shqipëri ose, në rastin më të keq, për t’u tërhequr nga vendi ynë?

Pikërisht, këtë po thosha. Ne e theksuam edhe në deklaratën publike që bëmë se “çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare”. Askush nuk do të investojë apo të ndërmarrë hapa biznesi në një vend ku risku politik dhe ai ekonomik është i lartë. Investitorët, bëjnë një analizë të hollësishme kur i drejtohen një vendi, duke kontrolluar të gjithë faktorët makroekonomikë, politikat fiskale, fuqinë punëtore dhe sistemin e drejtësisë. Ndërsa jemi duke punuar shumë për të stabilizuar parametra optimalë që e bëjnë vendin interesant, kemi përpjekje të forta për të krijuar tregje dhe siguri rajonale, të përballësh një investitor me një situatë politike që nuk garanton stabilitet, sigurisht që është e dëmshme.

Në cilin drejtim po e cenon më së shumti kriza ekonomike aktivitetin e biznesit?
Turizmi është i pari që e reflekton këtë fenomen. Nga statistikat duket se ka rënë fluksi i turistëve të huaj. Operatorët turistikë ankohen se turistët e huaj, shqetësohen nga situata dhe kanë tendencën të anulojnë rezervimet. Vera sapo ka filluar dhe kjo do të ndihet shumë nga një sektor që tenton të bëhet vital për vendin dhe ku punësohen gjatë sezonit me mijëra punonjës, të cilët shërbejnë jo vetëm në ambientet akomoduese, por dhe në sektorin e tregtisë, shërbimeve etj. Edhe sektorët e tjerë që lidhin kontrata pune me biznese homologe siç mund të jenë fasoni, eksportet, rrezikojnë shumë nga kjo situatë.

Sektorët e rëndësishëm si energjia, infrastrukturat, apo minierat, që pritet të bëhen të tilla falë investimeve strategjike në to, rrezikohen më shumë. Sikurse e thashë dhe më parë, asnjë investitor strategjik nuk vjen të investojë miliona euro në një vend, ku protestat ndonjëherë edhe të dhunshme, synojnë të largojnë një qeveri e cila ju ka dërguar ftesën për të investuar.

Ndërsa po shikojmë me mjaft interes dhe po përgatisim komentet tona, për ligjin e unifikuar të investimeve, i cili u jep përparësi investimeve vendase krahas dhe atyre të huaja, kuptojmë se më parë duhet të gjithë bashkë të influencojmë që kjo situatë e rënduar të përfundojë në favor të shqiptarëve, ekonomisë së tyre dhe potencialeve që ofron ky vend. Ne kemi besim se forcat politike, do të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe ecuria e reformës dhe një sistem drejtësie i konsoliduar do të jenë një bazë e qëndrueshme për investitorët e huaj dhe zhvillimet në ekonominë e vendit.

Artikulli paraprakTË HËNËN, KRYETARËT E BASHKIVE TË OPOZITËS URDHËR PËR REVOKIMIN E LISTAVE TË ZGJEDHËSVE
Artikulli tjetërBARDH SPAHIA SOT NË GJYKATË, ÇFARË PRITET TË NDODHË NË SHKODËR