Klubi i futbollit Vllaznia ka reaguar përmes një deklarate për shtyp për pas incidenteve që kanë ndodhur këtë pasdite në Dibër në ndeshjen e Kategorisë së Parë, Korabi-Vllaznia B. Në deklaratë thuhet se stafi i ekipit dhe futbollistët janë dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht në fund të ndeshjes. Sipas deklaratës, po mendohet tërheqja e ekipit nga kampionati nëse nuk merren masat e duhura si dhe është në pritje të reagimit të institucionit të futbollit shqiptar.

Deklarata e plotë e KF Vllaznia sh.a

“KF Vllaznia sh.a është i detyruar të reagojë me anë të kësaj deklarate për shtyp pas incidenteve të ndodhura pasditen e sotme në stadiumin e qytetit të Peshkopisë në ndeshjen e vlefshme për kategorinë e parë në mes Korabit dhe Vllaznisë B. Gjatë gjithë ndeshjes, nga vendasit është ushtruar dhunë psikologjike ndaj futbollistëve dhe stafit teknik e kjo dhunë ka agravuar edhe më tej, edhe në dhunë fizike teksa në minutat e fundit të ndeshjes janë goditur futbollistë të ekipit tonë. Protagonisti i gjithë kësaj dhune ka qenë administratori i KS Korabit, Fehmi Mëziu, një njeri që vetëm drejtues nuk mund të quhet. Nga goja e tij ka dalë edhe fjala “plumb” adresuar ndaj një futbollisti 17 vjeçar të Vllaznisë. Pa lënë mënjanë këtu edhe shumë veprime të tjera shumë të rënda të këtij personi apo dhe të tjerëve pjestarë të Korabit.

KF Vllaznia dënon ashpër dhunën e shfaqur sot në Peshkopi nga drejtuesit e Korabit dhe i bën thirrje FSHF të ndërhyjë për të neutralizuar veprime të tilla. Nuk është hera e parë që në këtë fushë ka një sjellje të tillë. Edhe në fazën e parë, ekipi jonë ka patur probleme thuajse të ngjashme.

“Vllaznia B” është krijuar me idenë e dhënies së mundësisë futbollistëve të rinj për të treguar vlerat e tyre, duke mos e patur prioritet aspak rezultatin por kurrsesi nuk mund të bëhemi viktima të një gare të tillë të dhunshme.

Nëse, nuk merren masat e duhura, KF Vllaznia bën të ditur se po mendon tërheqjen e këtij ekipi nga kampionati.

KF Vllaznia sh.a është në pritje të reagimit të institucionit të futbollit shqiptar në lidhje me ngjarjet e ndodhura në ndeshjen e sotme.”

Artikulli paraprakFSHEHU KRIMIN, KOMUNITETI MUSLIMAN PEZULLON HOXHËN
Artikulli tjetërBANESA E TYRE U PËRFSHI NGA FLAKËT, FLET E MOSHUARA: KISHA FRIKË PËR PLAKUN