Trupi i pajetë i një 56-vjeçari është gjetur në lagjen nr.8 në Korçë. Novruz Fiqi 56 vjeç, është personi që është gjetur në banesën e tij i pajetë. Rreth orës 05:30 të mëngjesit të sotëm, vëllai i tij e ka pikasur që ishte i vdekur dhe ka njoftuar policinë.

Ne mbrëmjen e djeshme, Fiqi ka qenë i shoqëruar me dy persona të tjerë, njëri prej tyre, i identifikuar si Emiljano Nafizi.

Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak.

Më datë 24.08.2018, rreth orës 05:50, në lagjen nr 8 në Korçë, nga vëllai i tij, është gjetur i pajetë në banesë shtetasi N.F, rreth 56 vjeç. Nga deklarimet e marra rezulton se ky shtetas, më datë 23.08.2018, në mbrëmje, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me një person, në hyrjen e pallatit të tij.

Pas konfliktit ky i fundit, është larguar për në banesë, ku jetonte me vëllain.Dyshohet se viktima konsumonte pije alkoolike dhe mbrëmjen e djeshme kishte konsumuar alkool.

Grupi hetimor dhe ekspertët mjeko-ligjorë po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Burimet bëjnë me dije se Fiqi është konfliktuar me Nafizin, i cili e ka qëlluar disa herë me grushte dhe sende të forta, duke e dhunuar barbarisht Shytin. Mësohet se Fiqi dhe Nafizi mblidhnin çdo ditë së bashku kanaçe.
Pas sherrit me Nafizin, Novruz Fiqi ka shkuar në banesën e tij në gjendje të alkoolizuar. Autori i rrahjes, Emiljano Nafizi është shoqëruar në komisariat për të marrë deklarimin. Në vendin e ngjarjes janë gjetur njolla gjaku.

Nga Tirana kanë mbërritur ekspertë për të bërë autopsinë. I vëllai i tij, ka treguar versionin e plotë të ngjarjes. Sipas dëshmisë së tij, autorët ishin dy dhe një prej tyre ishte Emiljano Nafizi.

Fqinjët kanë thënë se Fiqi ka qenë konsumator i rregullt i alkoolit. Ai jetonte së bashku me të vëllain e tij në një banesë në Korçë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes ndërkohë që pritet ekspertiza për të mësuar shkakun e vdekjes.