Protesta e banorëve të “Unazës së Re” është futur këtë të hënë në ditën e 52-të të saj.

Duke kundërshtuar prishjen e banesave të tyre sikurse e parashikon plani për ndërtimin e aksit nga sheshi “Shqiponja”, banorët janë vendosur në të dyja akset e rrugës pranë mbikalimit në këtë zonë duke bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Protestuesit kanë bllokuar edhe një mjet tip “BMW” që po tentonte të kalonte, duke e goditur me shkelma. Protestuesit i bënë thirrje drejtuesit të mjetit që ta fikte makinën dhe të bashkohej më të, por përpjekjet e tyre nuk kanë zgjatur shumë pasi për pak momente mjeti u la të kalonte.

Me jelekë portokalli dhe bilbilë në duar, protestuesit përgjatë gjithë kohës kanë brohoritur njëzëri “poshtë qeveria” e “qeveri hajdutësh”, e janë dëgjuar më tej edhe teksa i kanë bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që t’i bashkohen kauzës së tyre.

“Urojmë një vit sa më të mbarë, pavarësisht se për ne banorët e “Unazës së Re”, Krishtlindjet janë të plagosura”, u shpreh njëri prej tyre.

Pranë këtyre banorëve është vënë re edhe prania e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetit demokrat Klevis Balliu.

Këta të fundit sikurse janë shprehur edhe më parë, deklaruan se Partia Demokratike do t’i mbështesë deri në fund banorët e “Unazës së Re”.

Pasi ripërsëritën akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe projektit, që e cilësojnë “aferë korruptive”, ata i bënë thirrje studentëve që të mos heqin dorë së protestuari pasi sipas tyre forca më e madhe janë pikërisht këta të fundit.

Ditën e djeshme (23 dhjetor), kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përmendi sërish cështjen e devijimit të lumit Lana si edhe iu bëri thirrje mediave dhe drejtuesve që në orën kur nis protesta e banorëve të Astirit të mbajnë ekranet hapur për ta.

Duke iu mëshuar faktit që përmes projektit “Unaza e Madhe” është zhvilluar një megaaferë, Basha deklaroi që kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kanë ndryshuar planin urbanistik dhe si rrjedhojë kanë ndryshuar rrjedhën e lumit të Lanës,

që të mos i cënohej asnjë centimetër kompleksit të supozuar që do të ndërtojë ish-trafikanti i drogës, Edmond Bego

PUBLICITET