Intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 13:00.

Rreth 12 orë brenda dy ditësh, presidenti i vendit Hashim Thaçi është intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Për dallim nga dita e hënë kur Thaçi pas intervistimit 6 orësh dha një deklaratë të shkurtër për media, mbrëmë ai nuk u deklaruar fare.

Ende nuk dihet se si ka shkuar intervistimi përveç që mësohet se do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se më 24 prill ka bërë një propozim-aktakuzë për krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.