Ditën e sotme, besimtarët e krishterë kanë kremtuar “Ditën e Ujit të Bekuar”, e cila simbolizon ditën kur Jezusi u pagëzua në ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagëzori.

Si traditë, të rinjtë mblidhen në një urë dhe në garë me njëri-tjetrin dhe duke sfiduar temperaturat e ulta të janarit tentojnë që të kapin kryqin që hidhet në ujë.

Në qytetin e Beratit, në ujrat e lumit Osum janë hedhur 15 të rinj, por kryqi është kapur nga një 16-vjeçar nga lagjia Goricë, Kostandin Musha.

Siç edhe ndodh çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar,Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 500 mijë lekë (të vjetra) dhe ai me kryqin në dorë shkon në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë,Mangalem e Kala, ku banorët i japin para për kryqin e bekuar që mban në dorë i riu.

Pas hedhjes së kryqit,të gjithë besimtarët e krishterë beratas, i drejtohen sërish Kishës së Shën Dhimitrit, për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi.

Ata besojnë se ky ujë shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin,dhe pihet sa herë që janë të sëmurë. Por kapja e kryqit nuk është shënuar pa incidente mes të rinjve.