1 dhjetori është Dita Botërore kundër sidës, hera 30-të që bota kujton ata që kanë humbur jetën nga sëmundja dhe vendos objektivat e luftës kundër saj. Po ku qëndron Shqipëria e Kosova në luftën kundër AIDS?

1400 vetë jetojnë në Shqipëri me virusin HIV, pjesa më e madhe e të prekurve në Shqipëri janë burra heteroseksualë.

Në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes të AIDS bota ka bërë përparime të mëdha, megjithatë kjo epidemi vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha të shëndetit publik në botë.

Bota ka pasur vitin e kaluar 37 milionë vetë që jetojnë me sëmundjen HIV. Shpërndarja e infeksionit nuk ka rënë sa duhet dhe vitin e kaluar 1,8 milionë raste të reja i janë shtuar numrit të të prekurve. Disa rajone janë mbrapa me luftimin dhe burimet financiare mungojnë.

Për Shqipërinë të dhënat gjenden në raportin e UNAIDS, të publikuar javën e kaluar. 66 përqind e njerëzve të infektuar me HIV në Shqipëri e dinë që janë të infektuar. 42 përqind e të prekurve marrin trajtim mjekësor.

14 përqind e të sëmurëve kanë virus ngjitës. 1400 vetë jetojnë në Shqipëri me virusin HIV, 100 raste të reja infeksoni ka pasur në vitin 2017, më pak se sa 150 në vitin 2016. Pjesa më e madhe e të prekurve në Shqipëri janë burra heteroseksualë.

Numri i njerëzve që kanë humbur jetën prej sëmundjes ka rënë nga 23 më 2016 në 15 në vitin 2017. Shqipëria vazhdon të ketë probleme në mbulimin e trajtimit mjekësor të të prekurve, këtë e tregojnë edhe shifrat.

Vetëm 42 përqind e të sëmurëve me virusin HIV në të gjitha moshat kanë marrë trajtim mjekësor në vitin 2017. Një numër i vogël klinikash shëndetësore në Shqipëri ofrojnë kontroll për sëmundjen HIV.