Propozimi i Bashës për djegien e mandateve do të fuste vendin në një ngërç politik dhe do të krijonte edhe probleme institucionale.

Por veç kostos politike, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor ka një përcaktim të qartë sa i përket zgjidhjes së kësaj situate.

Sipas Kodit Zgjedhor, me rastin e tërheqjes së deputetit, Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ-në për zëvendësimin e vakancës. Në nenin 71 të Kushtetutës përcaktohet se kur një deputet merr mandatin e deputetit dhe kur është i pavlefshëm.

Në pikën B të këtij neni përcaktohet edhe dorëzimi me dëshirë I mandatit nga ana e deputetit.

Sipas nenit 71 të Kushtetutës, mandati mbaron ose është i pavlefshëm kur deputeti nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë me ligjin;

kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend dhe kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Ndërkohë Kodit Zgjedhor përcakton se mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

Ndërkaq në Nenin 164 të Kodit Zgjedhor parashikohen edhe hapat për plotësimin e vakancës në rast të lënies së mandatit. Në pikën 2 të këtij neni theksohet se mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike.

Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës.

Në rast se Partia Politike e tërheqë të gjithë listën, në pikën 4 të nenit 164 parashikohet një tjetër zgjidhje.

Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me më shumë vota.

Kujtojmë që në zgjedhjet e fundit të 2017-ës partitë politike u futën në zgjedhje pa koalicione dhe në rast të lënies së mandateve nga ana e PD dhe LS, sipas Kodit Zgjedhor, mandatet i kalojnë partisë tjetër që ka siguruar më shumë vota në zgjedhje.

E gjithë procedura e plotësimit të vakancave kryhet nga KQZ deri në shterimin e të gjithë listave për plotësimin e vendeve vakante.

Por sipas konstitucionalistëve dhe ekspertëve të fushës, djegia e mandateve mund të zgjidhet vetëm me një dialog politik, pasi në cdo rast funksionimi i Kuvendit nuk do të ishte i plotë dhe me përfaqësimin e verdiktit të popullit.