RREGULLA TË REJA PËR MAKINAT QË HYJNË NGA JASHTË VENDIT
Dogana Shqiptare do të fillojë që sot të zbatojë rregullat e reja për makinat që futen në vend nga persona që hyjnë për një kohë të shkurtër në Shqipëri. Bëhet fjalë për makinat e emigrantëve, turistëve, studentëve, mjekëve, shkencëtarëve apo atyre që nuk jetojnë, por vetëm punojnë në vendin tonë.

Në një udhëzim të kreut të Doganave, Elisa Spiropalit, drejtuar shtetasve shqiptarë me rezidencë jashtë vendit ose të huajve, me rezidencë në Shqipëri, sqarohet se nga regjimi i lejimit të përkohshëm të importit të një makine për përdorim privat përfitojnë vizitorët, studentët, mjekët dhe shkencëtarët që e vizitojnë Shqipërinë për periudha të shkurtra me automjetet e tyre si dhe ata persona me banim jashtë vendit, por që punojnë në Shqipëri.
Së pari, automjeti duhet të ketë një regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë; së dyti, mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm vetëm 6 muaj brenda një viti dhe në fund të periudhës 6-mujore, duhet të dalë nga vendi ose të zhdoganohet.
Gjithashtu, kjo makinë mund të përdoret vetëm nga anëtarët e familjes dhe personi që e ka sjellë, nuk mund ta lërë atë në Shqipëri kur del nga territori i vendit, ai as mund të shesë, as t’ia ndërrojë pronarin dhe as ta përdorë për qëllime tregtare.
Importi i përkohshëm i një automjeti për përdorim privat konsiderohet kontrabandë në rastet kur një automjeti është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Shqipërisë nuk deklarohet tek autoritetet doganore për të kryer procedurat e tranzitit.
Ligji shqiptar parashikon sanksione për automjetet që thyejnë rregullat e përcaktuara, si psh. kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, penalitetet llogariten në shumën e 50% të detyrimeve të papaguara.
Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë doganës dhe ndalohet nga policia, brenda vitit, përtej përfundimit të afatit të lejuar prej 6 muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet përllogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara; nëse ndalohet pas më shumë se 6 muajsh përtej afatit 6-mujor të lejuar, penaliteti përllogaritet në 100% të detyrimeve të papaguara. nëse automjeti e ka shkelur periudhën 6-mujore të lejimit të përkohshëm si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit varion nga 50 mijë në 200 mijë lekë.

[iframe width=”300″ height=”360″ src=”//www.youtube.com/embed/0MgbEYh0Cnk?feature=player_detailpage” frameborder=”0″ allowfullscreen ]
Artikulli paraprakRRUGA E SHIROKËS, PREFEKTI I PAKËNAQUR NGA PUNIMET
Artikulli tjetër3 ARRESTIME PËR NDËRTIMET PA LEJE