Një person është vrarë aksidentalisht me armë gjahu mbrëmjen e djeshme. Viktima është Ardi Bodurri 36 vjeç, punonjës i shërbimit pyjor në Elbasan, ndërsa autori është Preni Zavalina 27 vjeç, banues në Mlizë.

Autori është arrestuar së bashku me 25-vjeçarin Altin Zavalina, që akuzohet për fshehje të krimit.

Sipas policisë së Elbasanit, Bodurri së bashku me autorin Preni Zavalina dhe tre persona të tjerë, lir Zavalina, Marjo Shyti dhe Alti Zavalina me të cilët kishte lidhje fisnore dhe krushqie kishin dalë për gjueti.

36-vjeçari Bodurri është qëlluar pas kokës aksidentalisht në një zonë të pyllëzuar në fshatin Shelcan. Autori i vrasjes së bashku me personat e tjerë e nisën me shpejtësi për në spitalin e Elbasanit, por Ardi Bodurri ndërroi jetë.

Sipas policisë së Elbasanit, viktima ishte specialist i Pyjeve në Agjencinë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe mjeti ‘fuoristradë’ me targa AA721EF është në pronësi të kësaj agjencie.

Ai ka pasur autorizim për vrasjen dhe marrjen e mostrave nga dhelpra e kuqe për shkak të sëmundjes së tërbimit, projekt i autorizuar nga Ministria e Bujqësisë.

Grupi hetimor ka sekuestruar dy armë gjahu, ndërsa në komisariat janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë që ishin me grupin. Ardi Bodurri prind i dy fëmijëve, jetonte në qytetin e Elbasanit, ndërsa pas ekspertizës do të përcillet për në banesën e fundit.

PUBLICITET