GODELLI DHE PULAKU REZULTOJNË POZITIV. Peshëngritja shqiptare po pëson një tërmet të vërtetë. Pas Romela Begajt dhe Hysen Pulakut, edhe kampioni shqiptar i botës në peshëngritje, Daniel Godelli, ka rezultuar pozitiv në testin antidoping të bërë pas Botërorit të Kazakistanit.

 

Mësohet se në adresë të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka ardhur përgjigja e analizave edhe për kampionin e botës, Daniel Godellin. Ende nuk dihet substanca e ndaluar që ka përdorur Godelli, por mendohet se peshëngritësi do të kërkojë të bëjë edhe testin B. Daniel Godelli u shpall kampion bote në peshën 77 kg, duke marrë 2 medalje ari dhe 1 argjendi në kampionatin Botëror të Kazakistanit.

Vetëm disa ditë pas lajmit se Kampionia e botës në peshëngritje, Romela Begaj kishte rezultuar pozitive në testin e parë anti-doping, një ditë më parë edhe nënkampioni i Europës për moshën nën 23 vjeç Hysen Pulaku rezultoi pozitiv. Në kampionatin e 23-të europian për U- 23 që u zhvillua në Limasol të Qipros, Pulaku fitoi tri medalje: dy argjendi dhe një medalje ari. Në shkëputje, 22-vjeçari do të nderohej me vendin e dytë kontinental; kampion Europe në stilin e shtytje dhe në dygarësh merr medaljen e argjendtë me 369 kg të ngritura në total. Në stilin e shkëputjes Pulaku ka qenë superior në të tria provat. Vetëm një ditë më parë këtij sportisti iu akordua nga Këshilli i Qarkut të Elbasanit dhe një certifikatë “Mirënjohje e Qarkut Elbasan”, e cila iu dorëzua nga kreu i këtij qarku, Eugen Isaji.