Dorëhiqet Drejtori i parandalimit të pastrimit të parave të pista Alket Hyseni.

Drejtori i Përgjithshëm i Parandalimit e Pastrimit të Parave të Pista ka dhënë sot dorëheqjen. AI e ka marrë këtë detyrë më 28 Qershor të vitit 2016, duke zëvëndësuar Gent Gazhelin pasi ky i fundit mori detyrën si ambasador në Turqi. Para kësaj detyre, Hyseni mbronte postin e garancive statusore në Partinë Socialiste. Motivet e largimit, Hyseni i ka përmbledhur në një letër drejtuar Ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe kryeministrit Edi Rama. Sic jeni në dijeni, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave do të luajë rolin e saj të ngarkuar nga ligji në hetimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, që do të kalojnë në muajt në vazhdim në sitën e procesit të Vetingut. Për shkak të këtij roli, emri im është sulmuar gjithmonë e më shpesh në javët e fundit, nga të gjithë ata që nuk kanë interes që reforma në drejtësi të gjejë zbatim të shpejtë dhe efikas. Duke qenë i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shoqërisë shqiptare që ky proces të zhvillohet sa më shpejt, ndiej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eliminuar cdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga Vetingu. Gjej rastin t’iu shpreh falënderimet e mia të sinqerta për të gjithë mbështetjen që më keni dhënë ndaj ushtrimit të detyrës sime. Me besimin në mirëkuptmin tuaj. Me konsideratë të lartë Alket Hyseni.

Artikulli paraprakHARROHET DITËLINDJA E 98-të E VLLAZNISË
Artikulli tjetërARRESTOHET ME 45 KG TRITOL E NJË ARSENAL ARMËSH