Petrit Fusha, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ka dorëzuar kërkesën për dorëheqje nga nga posti i tij pas 32 viteve pune në këtë institucion.

Ai është shprehur se pas kaq shumë vitesh punë e sheh të arsyeshme të kontribuojë në dobi të një aktiviteti me më pak ngarkesë, pasi koha në të cilën jetojmë është e ngarkuar me fenomene të drejta e të pa drejta.

Përmes një letre dorëhejeje ai ka shpjeguar arsyet pse po largohet nga detyra

Pas 32 viteve pune në sherbimin e Prokurorisë, çmoj se përvojën që kam mund ta përdor në dobi të një aktiviteti tjetër me më pak ngarkesë.

Koha në të cilën po jetojmë është tejngarkuar me ngjarje e fenomene të drejta e të pa drejta. Një profesionist në moshën time natyrshëm zgjedh me maturi vendin se ku mund të kontribuojë më mirë.

Ndaj gjykova se Prokuroria nuk është më vendi ku unë mund të shërbej me përvojën 32 vjeçare. Një përvojë e akumuluar tashmë nga procese hetimore e gjykimi të çdo lloj çështje e niveli.

Në këto kushte ju paraqes sot dorëheqjen time nga detyra e Prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe nga shërbimi i Prokurorisë.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë u vendos me shumicë votash se mandati i Petrit Fushës do të përfundojë më 31 Mars. Ndërkohë që po sot KLP deklaroi përfundimin e statusit të magjistratit për prokurorin e Gjykatës së Shkallës së Parë, Përparim Hasa për shkak të plotësimit të moshës për dalje në pension.