AVOKATËT MBROJTËS DEKLAROJNË SË KLIENTËT E TYRE JANË TË PAFAJSHËM. Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të dy deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku. Organi i akuzës ka kërkuar nga gjykata e Lartë vlerësimin të ligjshëm të ndalimit të dy deputetëve dhe caktimit të masës së sigurisë arrest me burg ndaj tyre.

Pas këtij hapi të akuzës mësohet se Gjykata e Lartë do të hedhë shortin për trupën Gjykuese në Kolegjin Penal, të cilët do të vlerësojnë masën e sigurisë të cilët u vunë arrest një ditë pare. Ndërkaq në dokumentin e prokurorisë argumentohet nevoja për ndalimin e Mark Frrokut me dyshimet e arsyeshme se ai mund të largohet nga territori i Shqipërisë për tju shmangur ndjekjes penale. Ky deputet, gjithashtu sipas prokurorisë, është në proces gjykimi në shtetin belg pasi akuzohet nga organet e drejtësisë atje për kryerjen e disa veprave penale. Ditën e sotme dy deputetët u morën në pyetje nga Prokuroria, ndërsa avokatët e tyre pasi dolën nga drejtoria e Policisë, deklaruan se deputetët ishin marrë në pyetje si persona në hetim për një vepër penale.