Dosjet e ish-sigurimit të shtetit, hapja në bazë të ligjit për privatësinë

Hapja e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit do të bëhet jo vetëm në bazë të ligjit për informim, por edhe duke ruajtur privatësinë e individit. Për këtë qëllim, drejtuesit e Autoritetit për Informimin me Dosjet e ish-sigurimit të shtetit dhe komisioneri për të Drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për procesin e hedhjes dritë mbi faktet e errëta të kohës së diktaturës. Kjo marrëveshje, sipas drejtoreshës së Autoritetit të Dosjeve, bëhet pasi është konstatuar se deri më tani ka patur aubzime dhe shkelje të ligjit të privatësisë. “Dokumentat kanë qenë të përdorura pa kujdes, ka patur shkelje të ligjeve të privatësisë, janë mëpërkëmbur segmente të caktuara të jetës së njerëzve dhe kjo nuk i ka shërbyer as paqtimit të individëve, as pajtimit kombëtar e as rishkrimit të historisë”, deklaroi Gentiana Sula. Por sa mund t’i shërbejë hedhjes dritë mbi dosjet e sigurimit të shtetit, apo ngjarjeve të inspiruara dhe organizuara prej tij duke mos u publikuar emrat e personave që kanë ideuar dhe zbatuar ato skenare. Për këtë, komisioneri për të Drejtën e informimit ka këtë përgjigje. “Ne kemi detyrimin që të zbatojmë ligjin në çdo nen e në çdo gërmë. Një ligj jo gjithmonë mund të ketë të drejtë në periudha të caktuara kohore, por ne jemi të detyruar ta zbatojmë. Nëse kërkoni opinionin tim personal, atëherë do të prisni derisa mua të më mbarojë mandati”, tha Besnik Dervishi.

Artikulli paraprakGJENDEN DY ÇANTA ME DROGË NË KUFIRIN SHQIPTARO-GREK
Artikulli tjetërFIZIOTERAPIA, SHËRBIM NË SPITALIN E SHKODRËS