Drejtësia e re, 15 vepra penale që s’do të amnistohen ‘Dosja Hajdari’, 21 Janari, vrasja e grave

Nuk do të ketë kufizime kohore për rihapjen e dosjeve të krimeve të rënda të tranzicionit shqiptar, disa prej të cilave janë veshur me një mjegull misteri dhe me hetime gjysmake, për shkak të përfshirjes, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të segmenteve të politikës. Reforma në Drejtësi, përpos të tjerave, për herë të parë parashikon zgjerimin e veprave penale, të cilat nuk do t’i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale, pra shuarjes së ndjekjes penale, kur kalon një periudhë e caktuar. Ndryshimet në Kodin Penal përfshijnë 15 vepra të rënda penale, përgjegjësit për të cilat nuk do t’i shpëtojnë kurrë drejtësisë, pavarësisht nëse nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur, mund të kenë kaluar disa dekada. Në paketën e ndryshimeve bie në sy përfshirja e veprës penale të vrasjes së deputetit dhe e funksionarëve të tjerë shtetëror, vepër e cila përjashtohet nga parashkrimi. Ndryshimi në fjalë i hap rrugë Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme që të rihapë në çdo kohë dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, e konsideruar si vrasja e shekulli. Ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia, i dënuar nga drejtësia shqiptare, ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar para drejtësisë së re, për prapaskenat dhe njerëzit e politikës, të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. 21 Janari Nga parashkrimi i ndjekjes penale është përjashtuar edhe vrasja e dy ose më shumë personave si dhe vrasja në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, siç ishin vrasjet e 21 Janarit. Edhe pse nga vrasjet e 21 Janarit ka kaluar në kohë jo e gjatë, për këtë ngjarje, janë hequr kufizimet kohore sa i takon hetimit dhe ngritjes së akuzave, për personat që u lanë jashtë hetimeve nga prokuroria aktuale. Po ashtu, nuk do t’i shpëtojë kurrë drejtësisë personat, të cilët kanë vrarë me dashje punonjësit e Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj si dhe personat që kanë vrarë bashkëshortet ose ish-bashkëshortet. Nga parashkrimi është përjashtuar edhe vrasja për hakmarrje si dhe çdo vrasje tjetër me dashje. Ndryshimet Paketa me ndryshime në Kodin Penal riformulon pikërisht nenin 66 të Kodit në fuqi, për parashkrimin e ndjekjes penale. Tek neni 66, në pikën ‘b’, është shtuar një paragraf i cili parashikon që veprat penale të Kreut II, Seksionit I, Nenet 76–79/c, nuk i nënshtrohen parashkrimit, duke përfshirë vrasjen me dashje, vrasjen me dashje në lidhje me një krim tjetër, vrasja me paramendim, vrasjen për gjakmarrje, vrasjen në rrethana të tjera cilësuese, vrasjen e funksionarëve publikë, vrasjen policëve, vrasje në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, vrasjen e bashkëshortes etj. Ndërkaq, në Kodin Penal në fuqi parashikohej që vetëm krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit nuk i nënshtroheshin parashkrimit. Neni 66 i ndryshuar Neni 9. Në nenin 66, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: a) Shkronjat “a)” dhe “b)”, ndryshohen me këtë përmbajtje: a) Tridhjetë vjet në rastin e krimeve që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm dhe njëzet vjet për krimet, të cilat parashikojnë dënim me mbi dhjetë vjet burgim; b) Dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim deri në dhjetë vjet burgim; d )Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi i dytë me këtë përmbajtje: “Veprat penale të Kreut II, Seksionit I, Nenet 76 – 79/c, nuk i nënshtrohen parashkrimit”. Neni 66 në fuqi Parashkrimi i ndjekjes penale. Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar: a) Njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë; b) Dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim; c) Pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë; ç) Tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim; d) Dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë. Veprat penale që përjashtohen nga parashkrimi i ndjekjes penale Neni 76 Vrasja me dashje Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Neni 77 Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër Vrasja me dashje, që paraprin, shoqëron, fsheh ose pason një krim tjetër, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet. Neni 78 Vrasja me paramendim Vrasja me paramendim dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet. Vrasja e kryer për interes apo hakmarrje dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 78/a Vrasja për gjakmarrje Vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 79 Vrasja në rrethana të tjera cilësuese Vrasja me dashje e kryer: a) Ndaj të miturit; b) Ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura; c) Shfuqizuar; ç) Ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse; d) Më shumë se një herë; dh) Kundër dy ose më shumë personave; e) Në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës; ë) Në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 79/a Vrasja e funksionarëve publikë Vrasja me dashje e deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, ushtarakut apo e funksionarëve të tjerë publikë, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 79/b Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit Vrasja me dashje e punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Neni 79/c Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare Vrasja me dashje e personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Artikulli paraprakDIGJET NJË QENDËR TREGTARE.NUK DIHEN SHKAQET
Artikulli tjetërFLECKENSTEIN APEL BE-SË: NXISNI PROCESIN E ANËTARËSIMIT. VENDET TË RRISIN SUNDIMIN E LIGJIT