I sapoemëruar si drejtor i ekipeve kombëtar Xhemal Mustedanagiç ka zbritur në terren. Pas shumë vitesh si trajner i U-17,

Mustedanagiç ka vizituar lojtarët e akademisë “Shkodra” të drejtuar nga dyshja Taip Piraniqi dhe Rudi Piraniqi, akademi e cila ndodhet e grumbulluar në Razëm.

Dy lojtarë të akademisë “Shkodra” Preka dhe Dragaj janë pjesë e kombëtares së moshave. Drejtori Mustedanagiç dha edhe mesazhin e tij për të rinjtë.

“Sëbashku me futbollin duhet që të shkoni mirë edhe me shkollën. Ka raste të rralla kur dikush bëhet futbollist pa qenë djalë i mirë. Duhet të mendoni se jo të gjithë mund të bëheni lojtar për ekipe të mëdha prandaj duhet të futeni në jetë dhe t’i jepni rëndësi edhe shkollës, jo vetëm futbollit.

E di që të gjithë jeni këtu për t’u bërë lojtarë të mëdhenj ndaj të gjithë duhet që të punoni. Askush nuk jua dhuron këtë dhe nuk është diçka që dhurohet, pra duhet të punoni dhe të luftoni fort . Duhet të jeni profesionistë, të përgjegjshëm , të disiplinuar sepse janë shumë të rëndësishme në futboll.

Mbi të gjitha duhet të keni edhe fatin tuaj dhe secili do e ketë fatin e vet. Duhet të mendoni për gjithçka dhe duke ndjekur siç duhet vetveten mund të bëni edhe karrierë. Nëse keni shumë gjëra sëbashku do arrini aty ku duhet.

Jemi këtu për të parë çdo lojtar dhe do vizitoj të gjitha akademitë dhe klubet në gjithë Shqipërinë që të kemi marrëdhënie të mira. Shanset janë të barabarta dhe FSHF mendon njësoj për të gjithë. Ju uroj fat në karrierën tuaj”.

Mustedanagiç shoqërohej edhe nga zëvendëstrajneri i kombëtares U-17 Elvin Beqiri.

Trajneri Taip Piraniqi falenderoi drejtori Mustedanagiç për praninë e tij tek akademia “Shkodra”.

Marçelino Preka, futbollist i akademisë “Shkodra” dhe kombëtares së moshave tregon se ëndrra e tij është të bëhet lojtar i madh.

Nga akademia “Shkodra” për mbi 20 vite nga krijimi i saj janë prodhuar lojtar të cilët aktualisht kanë një karrierë të shkëlqyer qoftë jashtë Shqipërisë por edhe brenda vendit.