Një tjetër agjenci ka mashtruar dhjetëra qytetarë me një dëm në vlerën e mijëra eurove.

“Tasho’s Travel Agency” operonte në rrugën “Hoxha Tasim” në kryeqytet. Zyrat e kësaj agjencie ka disa ditë që janë mbyllur. Pronarja e saj, Marina Maze (Tasho) u arrestua me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda dhe fshehje të të ardhurave.

Pas kallëzimeve të qytetarëve dhe hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe krimit ekonomiko-financiar në polici, ka rezultuar se kjo agjenci udhëtimesh ka abuzuar me klientët, të cilët, të joshur nga ofertat e favorshme, prenotonin udhëtime duke paguar edhe paratë, por më pas, kur janë paraqitur në zyrën e agjencisë, e kanë gjetur të mbyllur dhe askush nuk u përgjigjej as në telefon.

Grupe të organizuara turistësh që do udhëtonin në Amsterdam paguan 2800 euro, por kur u afrua data, agjencia ishte zhdukur. Qytetarë të tjerë kanë depozituar kallëzim se janë demtuar në vlerën 1600 euro për 4 bileta në Dubai dhe për 2 bileta për në Berlin, në vlerën e 376 mijë lekëve. Pre e mashtrimit ka rënë edhe një shtetase e cila ka prenotuar 17 bileta për në Amerikë.

Ndërkohë, Gjykata e Tiranës mësohet se ka caktuar për të akuzuarën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndonëse prokuroria kërkoi “arrest me burg”. Vendimi i zbutur i gjykatës është arsyetuar për shkak se e akuzuara ka një foshnje 3-muajshe dhe duhet të kujdeset për të.

Marina Tasho, gjatë deklarimeve ka shprehur pendesë, duke pohuar se do i kthejë paratë të gjithë të dëmtuarve, pasi ka nxjerrë shtëpinë e prindërve në shitje.

Artikulli paraprakMETA DEKORON ME TITULL “FLAMURTARIN” E LAVDISHËM QË MPOSHTI “BARCELONËN”
Artikulli tjetër” UNAZA E MADHE”, BANORËT PETICION KRYEPROKURORES DHE PRESIDENTIT