Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur “arrest me burg” për gjashtë personat të cilët u arrestuan në Tamarë të Malësisë së Madhe.

Në aksionin e koduar Tamara pak ditë më parë policia sekuestroi 80 kilogram drogë e dyshuar si e llojit canabis sattiva si dhe arrestoi 6 shtetas: Kristjan Bujaj, Gjeto Pepaj, Pllum Murçaj, Lazër Murçaj, Lavdrim Nikaj dhe Ndue Nilaj.

Gjatë seancës për masën e sigurisë të dyshuarit që janë arrestuar nuk kanë pranuar akuzat e ngritura për ta nga policia dhe prokuroria.

Të arrestuarit janë shprehur se nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin sa i përket akuzave të ngritura si një grup kriminal që merrej me transportimin e drogës.

Po ashtu avokatët mbrojtës në sallën e gjyqit kanë kërkuar masë lehtësuese për 6 shtetasit por gjykata në fund ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke vendosur “arrest me burg” pa afat për shtetasit Kristjan Bujaj, Gjeto Pepaj, Pllum Murçaj, Lazër Murçaj, Lavdrim Nikaj dhe Ndue Nilaj.

Sipas policisë këta persona janë një grup kriminal që po tentonin të transportonin një sasi droge prej 80 kilogram nga Shqipëria drejt Malit të Zi përmes një pike kufitare në afërsi të Tamarës në Malësi të Madhe.

Këta shtetas dyshohet se bashkëpunonin me njëri-tjetrin për transportimin e drogës drejt shtetit fqinj. Policia dhe prokuroria kishin disa muaj që po hetonin edhe përmes metodave speciale

duke arritur finalizimin me sukses të këtij operacioni duke bërë të mundur arrestimin e 6 shtetasve dhe sekuestrimin e 80 kilogramëve canabis sattiva. Tashmë kjo çështje vazhdon që të jetë nën hetim deri në zbardhjen e plotë të saj.